Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, priti sot paradite në Kryesinë e Kuvendit Presidenten e Parlamentit Europian, Roberta Metsola, e cila ndodhet në Tiranë për të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian.
Spiropali nënvizoi se “Samiti i Gjashtë i Komunitetit Politik Europian në Tiranë, është i rëndësishëm për Shqipërinë, rajonin dhe Europën. Rezultati i zgjedhjeve në Shqipëri rikonfirmoi mbështetjen e gjerë popullore për bashkimin me familjen europiane.
Këto zgjedhje mundësuan për herë të parë votimin nga jashtë vendit dhe dëshmuan pjesëmarrjen e lartë të Diasporës në procesin zgjedhor. Kuvendi do të vijojë të udhëheqë me vendosmëri procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian brenda vitit 2030 dhe shpreh mirënjohjen për mbështetjen e Parlamentit Europian dhe institucioneve europiane për këtë objektiv ambicioz, por të arritshëm.”
Spiropali e falenderoi Presidenten Metsola për vendimin për hapjen në Tiranë të Zyrës Rajonale të Parlamentit Europian për Ballkanin Perëmdimor, një tjetër tregues i kontributit të Shqipërisë në zhvillimin, integrimin dhe paqen në rajon.
Komente
