Kryetarja e Kuvendit, Elisa Spiropali, u takua me të Ngarkuarën me Punë të Ambasadës së ShBA, Nancy VanHorn ditën e sotme, ku në fokus ta takimit ka qenë partneriteti strategjik mes dy vendeve dhe forcimi i institucioneve të pavarura.
Gjatë takimit, diplomatja amerikane VanHorn e uroi Spiropalin me rastin e zgjedhjes Kryetare e Kuvendit dhe shprehu gadishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit të suksesshëm midis Kuvendit dhe Ambasadës së ShBA, për mbështetjen e zhvillimit, demokratizimit, konsolidimit të institucioneve dhe integrimit euro-atlantik të Shqipërisë.
"Gjithashtu Kryeparlamentarja Spiropali e uroi të Ngarkuarën me Punë, VanHorn, për misionin e saj në Shqipëri dhe e njohu me disa nga prioritetet e punës së Kuvendit dhe të sesionit të ri parlamentar. Kryetarja Spiropali nënvizoi se në detyrën e Kryetares së Kuvendit do të udhëhiqet nga Kushtetuta, ligjet, përpjekjet maksimale për konsensus, racionalitet, konstruktivitet dhe transparencë, duke bashkëpunuar ngushtë me të gjitha grupet parlamentare dhe opozitën", njoftoi zyra e shtypit të Kuvendit.
Spiropali dhe VanHorn diskutuan edhe mbi partneritetin strategjik mes Shqipërisë dhe ShBA, zgjerimin e bashkëpunimit ekonomik dhe të investimeve amerikane në Shqipëri, avancimin e procesit të anëtarësimit në BE, fuqizimin e institucioneve të pavarura, bashkëpunimin me shoqërinë civile dhe qytetarët.