Politikë

Spiropali vizitë zyrtare në Bullgari, takohet me kryeministrin Jeliazkov: Mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në BE

9 Korrik, 16:58| Përditesimi: 9 Korrik, 19:42

  • Share

Me ftesë të Kryetares së Parlamentit të Bullgarisë, Nataliya Kiselova, Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali, po zhvillon një vizitë zyrtare dyditore në Bullgari, ku do të takohet me drejtuesit më të lartë të shtetit: Presidentin Radev, Kryeministrin Jeliazkov dhe Kryetaren e Parlamentit Kiselova.

Në ditën e parë të vizitës Spiropali u prit nga Kryeministri Rossen Jeliazkov. Ajo tha se Bullgaria mbështet anëtarësimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. 

“Me Bullgarinë kemi marrëdhënie dypalëshe të shkëlqyera në të gjitha nivelet, të cilat mbështeten në miqësinë tradicionale dhe në lidhjet historike, kulturore e njerëzore midis dy popujve tanë. Bullgaria është një mbështetëse e vendosur e integrimit të vendit tonë në Bashkimin Europian, ashtu siç ka mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ku të dy vendet sot jemi partnerë të rëndësishëm e kontribues aktivë', tha ajo. 

Gjithashtu me një postim në llogarinë e saj personale në Facebook, teksa ndau momente nga pritja nga Kryeministri Jeliazkov, kryeparlamentarja shprehu mirënjohjen për mbështetjen që Bullgaria i jep Shqipërisë për integrimin në BE.

“Mirënjohje Bullgarisë për mbështetjen e palëkundur për përshpejtimin e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Marrëdhëniet politike dhe ekonomike, partneriteti në NATO, bashkëpunimi rajonal dhe kontributet e përbashkëta për paqen dhe sigurinë në rajon, Europë dhe më gjerë dëshmojnë një miqësi të qëndrueshme dhe bashkëpunim të frytshëm mes dy vendeve tona”, shprehet Spiropali.

Organizimi në Tiranë më 16 maj i Samitit të 6-të të Komunitetit Politik Evropian përbën një moment kyç në angazhimin në rritje të Shqipërisë për sigurinë dhe paqen në Europë.

Bullgaria është një partner ekonomik tradicional i Shqipërisë dhe mes vendeve tona ka mundësi të shumta bashkëpunimi në sektorët si infrastruktura, turizmi, energjia etj., të cilat ndihmojnë zhvillimin, ndërlidhjen, bashkëpunimin dhe integrimin e rajonit. Ndërtimi i Korridorit VIII është një investim strategjik i përbashkët, thelbësor edhe për bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe Bullgarisë si edhe atë rajonal. Marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë janë prioritet i politikës së jashtme të Shqipërisë dhe të dy vendet po kontribuojnë për nxitjen e bashkëpunimit mes  vendeve të rajonit.

Kryeministri Jeliazkov vlerësoi marrëdhëniet, partneritetin dhe miqësinë mes dy vendeve dhe rikonfirmoi mbështetjen e vendosur të Bullgarisë  për anëtarësimin e Shqipërisë në  Bashkimin Europian dhe bashkëpunimin për paqen e sigurinë në rajon e më gjerë.

S.B/I.M/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Raporti i KE, si e vlerësoni punën e drejtësisë në Shqipëri?