Alergjitë e stinës kanë shtuar pacientët që kërkojnë ndihmë në spitalin e Gjirokastrës. Mjekët thonë se pacientët paraqiten me probleme në frymëmarrje, kollë, kruarje të syve dhe teshtima. Mjekja Erina Lazri bën apel që mos të neglizhohet asnjë simptomë.
Spitali i Gjirokastrës po përballet me numër të shtuar pacientësh që kërkojnë ndihmë për shkak të alergjive të stinës. Çdo ditë shkojnë për konsultë me mjekët alergologë mbi 30 pacientë të të gjitha moshave, por më të ekspozuarit janë fëmijët.
“Djali vuan prej 4 vitesh nga alergjia, është 4 vjeç. Doli alergjik nga pluhurat dhe polenet gjë të cilën e prisja. Ka shumë kruarje sysh, teshtima dhe bllokohet herë pas here”, tha një nënë.
Mjekja alergologe, Erina Lazri ndërsa tregon simptomat e alergjive nga polenet, ju bën apel qytetarve që mos të shmangin asnjë shenjë pasi rrezikojnë të kalojnë në astmë bronkiale.
“Aktualisht jemi në mesin e sezonit alergjik ku shkaktarët janë polenet e luleve të pranverës. Klinikisht pacientët vijnë me simptoma të rrugëve të sipërme respiratore dhe simptoma të rrugëve të poshtme respiratore.
Sipmtomat e rrugëve të sipërme respiratore janë bllokim të hundëve, ujshmëri të hundëve, teshtima, lotim të syve. Ndërsa simptomat e rrugëve të poshtme respiratorë janë kollë e thatë, vështirësi në frymëmarrje, fishkëllima dhe kjo bën atë që quhet astmë bronikiale.
Për sa i përket astmës bronkiale është sëmundja më e shpeshtë për moshat pediatrike dhe tek moshat e rritura. Qëllimi është diagnostikimi në kohën e duhur si dhe me imunoterapi, vaksinim ku ka përkeqësim”, tha mjekja.