PRIZREN- Për shkak të afërsisë, Prizreni është kthyer në një qytet të dytë për qytetarët kuksianë e veçanërisht për ata që janë infektuar me COVID-19. Që prej fillimit të pandemisë në këtë spital kanë marrë trajtim 21 persona nga të cilët 11 janë shëruar, ndërsa pjesa tjetër vijon të trajtohet aty. Drejtori i Spitalit Afrim Avdiaj, thotë se aktualisht janë 9 qytetarë nga Kukësi me COVID që janë të shtruar dhe se trajtimi ndaj tyre po bëhet njësoj si për qytetarët e Kosovës.
Ai njofton më tej se, në këtë institucion shëndetësor nuk është regjistruar asnjë rast i konfirmuar nga koronavirusi i ri britanik.
Ndryshe, prej disa vitesh në Spitalin e Prizrenit, trajtohen edhe të sëmurët me hemodializë. Janë 14 persona nga Kukësi që udhëtojnë tri herë në javë në Prizren pranë spitalit të përgjithshëm, i cili ka një shërbim hemodialize dhe dy salla me kapacitet me 230 aparatura.