Spitali i Skraparit pa mjekë specialistë e aparatura! Dy doktorë pensionistë u shërbejnë 12 mijë banorëve: Kur të ikim ne, spitali do mbyllet

4 Dhjetor 2023, 16:16| Përditesimi: 4 Dhjetor 2023, 16:20

  • Share

Doktor Agron Veizi ka 40 vite që shërben në spitalin e Skraparit. Ai e ka mbushur moshën e pensionit, por vazhdon punën me kohë të plotë për shkak të mungesës së mjekëve specialistë në këtë spital.

“Jemi dy mjek që kemi mbushur moshën e pensionin, unë dhe kolegu im pediatër. Vijojmë të punojmë pasi po mos të jemi ne ky spital mbyllet. Para disa muajsh Ministria e Shëndetësisë ka sjellë dy mjekë me kontratë, një kardiologe dhe një pediatër. Ata të dy në fundjavë ikin në Tiranë se janë familjarë”, tha dr. Veizi.

Spitali i Skraparit u shërben 12 mijë banorë të Çorovodës, Poliçanit dhe fshatrave të kësaj bashkie. Deri në vitin 1997 kishte 64 shtretër dhe disa pavione, sot vetëm 9 shtretër në Patologji dhe Pediatri. Materniteti është drejt mbylljes pasi nuk ka mjek gjinekolog.

“Në spitalin tonë ka tre shërbime, shërbimi patologjisë së përgjithshme, shërbimi i pediatrisë dhe shërbimi i maternitetit por që s’ka mjek për maternitetin. Një herë në tre javë vjen një gjinekolog nga Lushnja për të bërë vizitat. Kjo është e pamjaftueshme sepse nuk mund të asistojë gratë në lindje. Ndaj ne I dërgojmë në spitalin e Beratit”.- tha mjeku.

Doktor Agron Veizi, i specializuar për hematologji, thotë nevojat për specialistë janë shumë të mëdha, sidomos për kirurg, gjinekolog dhe ekografist. Dy mjekë me kontratë, që ka caktuar Ministria e Shëndetësisë për të shërbyer në Skrapar, nuk i përgjigjen nevojave të përditshme të pacientëve.  Përpos mjekëve, spitali ka mungesë të theksuar në infrastrukturë dhe pajisje mjekësore.

“Përsa i përket pajisjeve na mungojnë edhe ato. Kemi një aparaturë grafie që nuk punon prej vitesh”, shton ai.

Në këto kushte shumë pacientë detyrohen të marrin rrugën për në Berat, 65 kilometra nga Skrapari për të kryer vizitat me mjekë specialistë si dhe diagnostikim me eko, ezhe, etj. 

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?