Të shumtë janë pacientët që i janë drejtuar spitalit të ri memorial në Fier sapo ka hapur dyert.
Me kushte bashkëkohore dhe staf shqiptaro-turk, pacientët shprehen se kanë gjetur jo vetëm mjek të mirë por edhe shërbim cilësor.
“Është hera e parë që vij në këtë spital dhe më ka pëlqyer shumë. I gjithë stafi me pritje të rregullt dhe të mirë. Pastërtia e rregullt. Më ka pëlqyer shumë. Kam jetuar 18 vjet në Itali. Më mirë se atje”, tregoi një paciente.
“Erdhëm me vizitë me rekomandim nga spitali i Fierit. Mesa pamë ishte një mirësjellje e lartë”, tha një tjetër pacient.
Nga data 27 Maj e deri më 17 Qershor në spitalin rajonal memorial kanë marrë shërbim rreth 500 pacientë, ndërsa janë kryer me sukses 10 ndërhyrje kirurgjikale.
“Jam shtruar në spital dje. Kanë bërë të mundur një ndërhyrje. Kam gjet një shërbim të shkëlqyer. Falënderoj mjekun. Operacioni kaloi me shumë sukses.”, tregoi një i shtruar në spital.
“Kam qenë i sëmurë nga dhjami. Dje u operove. Ishte doktori turk. Shërbimi, ja shikoje vetë. I shkëlqyer”, tha një pacient.
Drejtoresha e spitalit, Rudina Degjoni, tha për "Report Tv" se pranimi bëhet përmes sistemit të referimit për pacientë të qarqeve Gjirokastër, Vlorë dhe Fier.
“Kemi ndjekur zbatimin e sistemit elektronik të referimit të pacientëve. Kuptohet se është spital i ri dhe vijnë pacientë pa referim. Jemi përpjekur që të gjithë qytetarëve të ju japim përgjigjen në kohën e duhur dhe të ju japim shërbimet që ato kanë nevojë. Por vihet re dhe një interesim i pacientëve që janë jashtë këtij rajoni. Kruja. Në rastin konkret patëm ndërhyrjen ditën e djeshme”, tha Drejtoresha e spitalit, Rudina Degjoni .
Aktualisht ofrohen 8 shërbime të rëndësishme si neurologji, kardiologji, kirurgji e përgjithshme , radiologji, urologji dhe shërbimi i laboratorëve. Nga 30 qershori pritet të hapen shërbime të reja, si hemodinamika, infektivi dhe okulistika. Ndërsa nga gushti pritet të hapet dhe reparti i ortopedi traumatologji.
“Faza e tretë është faza që ne do të ofrojmë të gjitha shërbimet shëndetësore. Kërkon kohën e vetë për të pasur në gatishmëri jo vetëm stafin mjekësor por edhe pajisjet e tjera mjekësore të domosdoshme për raste kritike. Ne jemi 24 orë me urgjencë të hapur mjekësore”, shtoi drejtoresha.
Në spitalin Memorial Rajonal punojnë 30 mjek, prej të cilëve 14 janë nga Turqia. E po kështu pjesë e stafit janë edhe infermier e teknikë turq, të cilët flasin për eksperiencën në Shqipëri.
“Kam ardhur këtu për të përcjellë njohuritë që kam marrë në Turqi. Është bërë pothuajse një muaj qëkur kam ardhur këtu dhe kemi trajtuar 500 të sëmurë dhe kemi kryer 10 ndërhyrje kirurgjikale. Kolegët tanë Shqiptarë janë shumë të interesuar për të mësuar dhe janë tejet bashkëpunues”, u shpreh një infermiere turke.
“Prej 20 vitesh punoj në terapinë intensive. Prej një jave gjendem këtu dhe është hera e parë në Shqipëri. Gjendem këtu për të përfaqësuar sa më mirë vendin tonë dhe për të kaluar njohuritë tona tek kolegët Shqiptar. Ndihem shumë e lumtur”, tha një tjetër infermiere turke.
Spitali i ri ka 150 shtretër dhe 6 salla operacioni me një personel mjekësor prej 150 personash, por deri në fazën e tretë është parashikuar të shkojë në 400 të punësuar.