20 pacientë nga qyteti i Kukësit që trajtohen me hemodializë tre ditë në javë në spitalin e Prizrenit shprehin frikën se janë të rrezikuar nga koronavirusi. Kjo pasi tetë bluza të bardha të repartit të hemodializës në spitalin rajonal të Prizrenit kanë rezultuar pozitiv me COVID–19.
Kjo konfirmohet edhe nga drejtuesit e spitalit të Prizrenit të cilët thonë se gjendja e tyre shëndetësore është stabile. Drejtori Afrim Avdaj thotë se kanë marrë të gjithë masat që pacientët të marrin shërbimin e duhur dhe të mbrojtur nga koronavirusi.
Ndërkohë pacientët nga Kukësi kërkojnë bërjen e tamponit pasi kanë frikë se mos janë të infektuar. Sakaq fillimisht 20 pacientët mëngjesin e së premtes nga spitali i Prizrenit nuk u lejuan të marrin shërbimin e hemodializes për arsye të situatës nga COVID-i.
Por pas ndërhyrjeve nga ministritë e Shëndetësisë së Kosovës e Shqipërisë dhe spitalit rajonal të Kukësit ata kanë udhëtuar sërish drejt spitalit të Prizrenit për shërbimin e hemodializës të premten pasdite por me frikën e infeksionit edhe pse masat mbrojtëse nga spitali janë të forta.
'Kërkojmë rrugëzgjidhje, ku ta bëjmë se ne shpirtin kjo dializë na e mbanë, sot na kthyen se kanë dalë të gjithë me virus. I lutem si shtet se ne kjo dializë na mban gjallë, që të jetojmë edhe ne si të tjerët. Ne se përballojmë, në Lezhë, Shkodër, të na hapin një vend si rreth Kukësi se për 3-4 ditë mbarojmë punë" tha një paciente.
Bashkëshorti i njërës prej pacienteve theksoi se 'Për arsye se në Prizren te klinika ka rënë koronavirusi, që të mërkurën dhe deri sot nuk kanë bërë dializë, po i zuri e hëna mbarojnë. Të sjellin aparaturat këtu, sesa ti transportojnë. Nesër për 24 orë duhet të bëjnë dializë, nga e mërkura në të hënë këta nuk mund të presin. Edhe ne të na bëhet kontrolli mjekësor,tamponi, se edhe ne jetojmë me të sëmurët që kanë qenë në spital" tha ai.
Prej disa vitesh, falë marrëveshjes ndërqeveritare me Kosovën, më shumë se 25 pacientë nga Kukësi, Hasi e Tropoja, kryejnë hemodializën në spitalet e Prizrenit dhe Gjakovës.