Presidenti i Sporting Lisbonës, Frederico Varandas, ka dhënë një mesazh të qartë për Juventusin dhe çdo klub tjetër të interesuar për Viktor Gyökeres; 70 milionë euro nuk janë të mjaftueshme.
Interesimi i Juventusit për sulmuesin suedez është bërë gjithnjë e më i theksuar në ditët e fundit, por kreu i klubit portugez ka reaguar publikisht përmes një deklarate për BBC-në, duke hedhur poshtë spekulimet dhe duke vendosur kushte të qarta për çdo tratativë të mundshme.
“Për momentin nuk ka mbërritur asnjë ofertë për Gyökeres,” – tha Varandas. – “Por sidoqoftë, ju them se 70 milionë euro për të cilët është folur në orët e fundit nuk do të ishin të mjaftueshme.”
Në të njëjtën linjë, presidenti portugez mohoi zërat se i ka premtuar lojtarit largimin gjatë verës, ndërsa i dërgoi një sinjal të drejtpërdrejtë edhe menaxherit të sulmuesit.
“Nuk është e vërtetë që i premtova se do të largohej. Me mua shantazhi nuk funksionon. Nëse kjo është një manovër nga agjenti, atëherë situata vetëm sa do të përkeqësohet”, shtoi ai.
Gyökeres, që pati një sezon fantastik në Portugali, është një nga emrat më të kërkuar në tregun veror, por Sporting është i vendosur të mos bëjë lëshime për kartonin e tij, duke e vlerësuar mbi 80 milionë euro, shifër që mund të arrijë deri në 100 milionë euro nëse përfshihen bonuset dhe klauzola të tjera.
Juventusi për momentin e sheh sulmuesin si një alternativë të fortë në rast largimi të njërit prej sulmuesve aktualë, por duket se bisedimet nuk do të jenë aspak të lehta me klubin nga Lisbona.
Komente
