Presidenti Ilir Meta ka dekretuar shtesën e bërë në ligjin ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”, ku në përfitimin e pensionit të posaçëm nga shteti përfshihet dhe kategoria e sportistëve.
Në dekretimin e ligjit, presidenti Meta mbështet këtë nismë që synon rritjen e vlerësimit të kontributit të dhënë ndër vite nga sportistët, duke u njohur të drejtën për të përfituar pension të posaçëm.
Po çfarë parashikon ky ligj? Ligji ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar” shton kategoritë e personave që përfitojnë pension special nga shtetit, nëse kanë dhënë kontribut dhe kanë spikatur në profesionet e tyre, ku sportistët janë shtuar si një kategori e re. Në ligj ndryshon shkronja ‘b’ e nenit 5 të ligjit për sigurimet shoqërore të vitit 1993, duke parashikuar që njerëzit, të cilët kanë arritur rezultate të dallueshme në fushën e sportit kanë të drejtë të përfitojnë pension shtetëror të posaçëm.
DEKRET
PËR SHPALLJE LIGJI
Në mbështetje të nenit 84, pika 1 dhe nenit 93 të Kushtetutës,
Dekretoj
Shpalljen e ligjit nr. 65/2020 “Për një shtesë në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993, ‘Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë’, të ndryshuar”.
Nr. Dekretit 11497
Tiranë, më 02.06.2020
PRESIDENTI I REPUBLIKËS
ILIR META