Partizani barazoi 1-1 me Egnatian për javën e 28-të në Superligë. Të kuqtë u ndëshkuan në fund, teksa lanë dy pikë që mund të jenë vendimtare në garën për titullin kampion. Tanimë "Demat" e Colellas kanë lëshuar kreun e klasifikimit për rivalët e Tiranës, teksa trajnerin e shqetësojnë edhe dëmtimet.
Janë tre futbollistë që nuk duken gati për ndeshjen e fundjavës kundër Laçit. David Atanaskoski, Tedi Cara dhe Remzifaik Selmani duket se do jenë mungesa për stafin teknik.
Cara u largua i dëmtuar nga ndeshja e fundit pas vetëm 18 minutash lojë, ndërsa ka nisur fazën e rikuperimit dhe gjasat që të kthehet i gatshëm ekzistojnë. Situata duket ndryshe për Selmanin, me sulmuesin anësor që pritet të mungojë gjatë dhe mund të ketë mbyllur sezonin pas një dëmtimi në klavikul.
Edhe Atanaskoski ka ditë që vijon i dëmtuar, me Buxhelaj që ka zëvendësuar mbrojtësin nga Maqedonia e Veriut. Me sezonin që është në sprintin final për garën e titullit, te Partizani shqetësojnë dëmtimet.