Avokatja e Popullit Erinda Ballanca nuk e ka shlyer ende detyrimin financiar për blerjen e dy pasurive të paluajtshme me vlerë 601 mijë euro. Në deklaratën e pasurisë për vitin 2020, zonja Ballanca deklaron se detyrimi i mbetur për blerjen e shtëpisë në rezidencën në Mullet, me sipërfaqe ndërtimi 603 m2 dhe parcelë 1 547 m2, është 120 mijë euro, ndërsa detyrimi i mbetur për blerjen e një sipërfaqeje 125 m2 dhe një garazhi është 5 mijë euro. Raportimi përmes artikullit të djeshëm se Avokatja e Popullit e kishte shlyer detyrimin, ishte një lapsus. Për këtë i kërkojmë ndjesë zonjës Ballanca, pasi Avokatja e Popullit ka për të shlyer edhe 125 mijë euro për të dy pasuritë e paluajtshme.
Në deklaratën fillestare të pasurisë të vitin 2017, Erinda Ballanca deklaron një kontratë sipërmarrje të datës 5 shtator 2013, me vlerë 451 mijë euro, për një shtëpi banimi, në rezidencën e ndodhur në Mullet. Nga shuma 451 mijë euro ka shlyer 201 mijë euro, të ardhura sipas saj nga pagat, dividenti dhe kredi bankare. Në 2018, ka shlyer edhe 20 mijë euro. Në vitin 2019, ka shlyer edhe 110 mijë euro.
Ndërkaq, po në deklaratën fillestare të pasurisë të vitit 2017, Avokatja e Popullit deklaron se në vitin 2009 ka lidhur një kontratë për një sipërfaqe 125 m2 dhe një garazh, me vlerë 150 mijë euro. Nga detyrimi 150 mijë euro, ka shlyer 145 mijë euro. Në deklaratën fillestare të pasurisë, Erinda Ballanca deklaron se është pronare me 100 % i një apartamenti 107 m2, kontraktuar që në vitin 2001 me vlerë 57 mijë USD. Ballanca ka deklaruar se është pronare e 1/3 pjesë të një apartamenti banimi me sip. 55 m2 në Tiranë, përfituar me privatizim në vitin 1994 nga e ëma, 9 960 lekë. Barra hipotekore e banesës aktualisht i ka kaluar vëllait.
Erinda Ballanca është gjithashtu pronare e 1/8 pjesë një shtëpie banimi në Tiranë, me sipërfaqe ndërtese 76.5 m2 dhe trualli 432 m2. Pasuria është krijuar në vitin 1924 nga stërgjyshi dhe ka kaluar tek trashëgimtarët ligjorë. Në 12 prill 2013, ka lidhur një kontratë për blerjen e një apartamenti në Vlorë me sipërfaqe 92.69 m2 dhe sipërfaqe të përbashkëta 14.38 m2, me vlerë 75 mijë euro. Apartamenti është shpronësuar me vendim qeverie në 27 nëntor 2013 dhe çështja është në proces gjyqësor për dëmshpërblim. Bëhet fjalë për pallatin e vjehrrit të Lulzim Bashës.
(Kliko këtu) Erinda Ballanca, deklarata e pasurisë
(Kliko këtu) Erinda Ballanca, deklarata fillestare e pasurisë 2017
(Kliko këtu) Erinda Ballanca, deklarata e pasurisë 2018
(Kliko këtu) Erinda Ballanca, deklarata e pasurisë 2020