Në 17 janar të këtij viti, gazetari i Report Tv Adriatik Doçi publikoi një shkrim, bazuar në një urdhër të ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka, për dhënien e masën disiplinore ‘vërejte me paralajmërim’ Gjeneral Brigade Dedë Prenga. Urdhri ishte i datës 16 mars 2018, ku në atë kohë Prenga mbante detyrën e Zëvendëskomandantit të Komandës së Forcës Tokësore. Sot Prenga është këshilltar i Presidentit, Ilir Meta, për sigurinë. Pas publikimit të shkrimit, Dedë Prenda kërkoi të bënte disa qartësime dhe plotësime.
Së pari, Gjeneral Brigade Dedë Prenga bëri me dije se, masën disiplinore ‘vërejte me paralajmërim’ e ka marrë për shkak të një deklarate për mediat rreth veprimtarisë së
komisionit të përbashkët shqiptaro-grek, i ngritur për zgjidhjen e çështjes së varrezave të ushtarëve grekë, që janë vrarë në Shqipëri gjatë Luftës së Dytë Botërore. Prenga ishte kryetar i këtij komisioni për palën shqiptare.
Së dyti, Prenga sqaroi se një masë e tillë disiplinore, shuhet dhe nuk përfshihet në dosjen personale, kur ka kaluar një vit dhe kur gjatë kësaj kohe nuk merret masë tjetër. Prenga i referohet ligjit për disiplinën në Forcat e Armatosura, neni 23, shkronja 'b', sipas të cilës "ushtarakët e Forcave të Armatosura, ndaj të cilëve është marrë një masë e rëndë disiplinore, sipas përcaktimeve të pikës 2, të nenit 14, të këtij ligji, dhe që për një periudhë 1-vjeçare nuk kanë kryer asnjë shkelje tjetër të rëndë disiplinore. Në përfundim të kësaj periudhe masa disiplinore hiqet nga dosja personale e ushtarakut".
Së treti, Gjeneral Brigade Dedë Prenga pohon se pavarësisht heqjes së masës nga dosja e tij personale, ka ndjekur rrugën gjyqësore për rrëzimin e kësaj mase si të pabazuar në ligj. Aktualish çështja po shqyrtohet nga Gjykata e Apelit.