Nga dosja hetimore kundër Erjon Veliajt, e ndërtuar nga SPAK, ndër pjesët më të trumbetuara në media është pretendimi se kryebashkiaku i Tiranës ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike tek disa organizata jofitimprurëse e persona fizikë që dyshohet se kontrollohen nga bashkëshortja e tij, Ajola Xoxa, duke krijuar një skemë të dyshimtë e të komplikuar transaksionesh financiare.
Por, a është vërtet kështu? Deri më sot, asnjë nga mediat nuk është munduar të sqarojë për publikun anën proceduriale të miratimit të projekteve në Bashkinë e Tiranës.
Është fakt se, prej vitit 2016 e në vijim, për këtë fushë të aktivitetit të Bashkisë së Tiranës, Këshilli Bashkiak, si organ përfaqësues i Bashkisë së Tiranës, ka vendosur ngritjen dhe funksionimin e një strukture të posaçme, të quajtur Këshilli Artistik-Kulturor, në përbërje të të cilit janë 9 anëtarë, emra të shquar të jetës artistike, kulturore e sportive të vendit. Është pikërisht ky Këshill, organ kolegjial, që vendos për miratimin ose jo të projektit konkret, që do të mund të financohet më pas nga Bashkia e Tiranës, dhe jo Kryetari i Bashkisë. Po ashtu, Këshilli Bashkiak, me anë të vendimit nr. 12, datë 11.03.2016 “Për miratimin e rregullores së financimit të projekteve kulturore, artistike, rinore dhe sportive”, ka miratuar rregullat konkrete mbi të gjithë procedurën që ndiqet nga Bashkia Tiranë mbi projektet kulturore, artistike, rinore dhe sportive.
Po si financohen projektet nga Bashkia e Tiranës? Shoqata, personi fizik apo juridik që do të përfitojë mbështetje financiare nga Bashkia e Tiranës fillimisht aplikon duke paraqitur një projekt; aplikimi shoqërohet me një preventiv të punëve që do të kryhen; projekti i propozuar shqyrtohet dhe miratohet ose jo me vendim nga Këshilli Artistiko-Kulturor prej 9 anëtarësh i Bashkisë së Tiranës. Më pas, nëse ka një vendimmarrje kolegjiale miratuese, procedohet me nënshkrimin e akt-marrëveshjes me OJF-në aplikuese, e cila lëshon faturën tatimore, situacion për kryerjen e punimeve etj.
Vetëm pas kryerjes së këtyre procedurave, që zgjasin disa muaj, nga tre nëpunës të rolit regjistrues, zbatues dhe një nëpunës thesari, hartohet urdhri i shpenzimit për projektin kulturor konkret të financuar nga Bashkia e Tiranës, e në vijim ky urdhër shpenzimi i paraqitet për nënshkrim Kryetarit të Bashkisë, i cili ka për detyrë funksionale nënshkrimin e akteve të tilla, në cilësinë e organit ekzekutiv të njësisë vendore dhe nuk ka asnjë rol vendimmarrës për sa i përket shpalljes apo jo fitues së aplikimit të paraqitur nga aplikuesit. Po kështu, Kryetari i Bashkisë nuk ka asnjë rol dhe asnjë dijeni për sa i përket shoqatave, personave fizikë dhe juridikë, që aplikojnë për projekte artistikë, kulturorë,rinor apo sportiv, shpalljen apo jo fitues të tyre dhe shumën e preventivit të paraqitur apo si dhe shumën e akorduar nga Këshilli Artistiko-Kulturor në rast se janë shpallur fitues nga ky këshill.
Një tjetër detaj që lihet qëllimisht jashtë është fakti se kryebashkiaku Veliaj, prej vitit 2018, sipas Urdhrit nr. 31086 datë 15.08.2018 “Për delegimin e kompetencave”, ka urdhëruar delegimin e kompetencave të tij tek një nga zëvendëskryetarët e Bashkisë së Tiranës për çështjet që lidhen me nënshkrimin e urdhrave për mbështetjen financiare të projekteve artistiko-kulturore të Këshillit Artistiko-Kulturor, të kontratave apo akteve të nevojshme me subjektet apo organizatorët që realizojnë projekte të tilla etj. Çka shpjegon një fakt shumë të thjeshtë: se Veliaj nuk ka miratuar asnjë projekt kulturor, pasi të gjitha procedurat janë ndjekur e miratuar nga Këshilli Bashkiak i Tiranës, përmes Këshillit Artistiko-Kulturor,dhe më pas nga Zëvendëskryetari i deleguar për këtë qëllim.
Kryetari i Bashkisë së Tiranës është hallka e fundit e një serie procedurash administrative për aplikimin, shqyrtimin dhe shpalljen apo jo fitues të një projekti artistikë, kulturor, rinor dhe sportiv. Ai jo vetëm që s’ka rol vendimmarrës, por pas vendimarrjeve nga strukturat që analizuam më lart, e ka detyrim ligjor të disbursojë fondet, në të kundërt do cënonte ushtrimin e rregullt të detyrës së tij.
Komente

Me sa duket edhe pse jane te barabarte ne detyra,post e funksione,edhe pse kane te dy drejtori te kultures ne bashki,duket qe ajo qe funksionon per Beci,kryebashkiakun e Shkodres, qe pushoi sot dy aktore te /Migjenit/,nuk funksionoka per E.Veline?! Cfare paradoksi absurd!
Përgjigju