Korporata Shqiptare e Investimeve shpalli së fundmi thirrjen për gjetjen e një partneri privat që do të zbatojë projektin për stadiumin e ri të Durrësit.
Në fakt projekti Rijetëzimi i stadiumit “Niko Dovana”, Durrës, ndërtimi i qendrës sportive/komunitare, si dhe rikualifikimi i zonës përreth përfshin një seri ndërtimesh të cilat nuk kanë në fokus vetëm aspektin sportiv. Projekti në fjalë parashikon ambiente të tjera tregtare, rezidenciale por edhe hotel.
Në dokumentet që shoqërojnë njoftimin e Korporatës thuhet se ky projekt investimi synon të transformojë stadiumin “Niko Doavana” në Durrës, dhe zonën urbane përreth tij, përfshirë ndërtimin e një qendre sportive dhe ambienteve të tjera publike, duke e kthyer zonën në një qendër multi-funksionale për të rritur efikasitetin funksional dhe për të kontribuar në vlerë të shtuar në jetën sociale dhe në ekonominë të qytetit të Durrësit.
“Projekti i investimit realizohet nëpërmjet një modeli partneriteti, ku Korporata ka rolin e zhvilluesit të pronave publike/shtetërore dhe ndërmjetësuesit midis institucionit publik (Bashkisë Durrës), që ka interes të zhvillojë pronën e tij dhe të përfitojë një stadium dhe një pallat sporti bashkëkohor, dhe partnerit privat, që posedon burimet financiare, njerëzore dhe ekzekutive, dhe ka interes në realizimin e projektit të investimit.
Pronat e dedikuara për këtë projekt arrijnë një sipërfaqe totale prej 76,161.75 m2, të përbëra nga terrene sportive me sipërfaqe 34,879.27 m2, sheshe 23,700.98 m2, truall 8,128.26 m2, rruge 4,330.03 m2 dhe trotuare 5,123.21 m2” thuhet në dokumente.
Projekti që do të zbatohet dhe çfarë përfshin
Më herët në maj 2023 pas një gare që zuri vend më herët mes studiove arkitektonike Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit njoftoi se fitues ishte projekti i studios belge të arkitekturës 5IN4E + Plan Comune.
Sipas dokumenteve projekti është konceptuar mbi sipërfaqen totale prej 76,161.75 m2, ku arkitektët kanë përcaktuar dhe planin e zhvillimit te këtij projekti, i cili përbëhet nga 5 zona.
Këto zona janë evidentuar si faza të ndryshme zhvillimi dhe janë të organizuara sipas fushave të ndryshme të zhvillimit duke ndjekur një hierarki sipas rëndësisë së secilit projekt si vijon:
1. Zona e parë e zhvillimit do të jetë objekti i stadiumit me një sipërfaqe prej 27,037.2 m2. Këtu përfshihet rindërtimi dhe transformimi i stadiumit “Niko Dovana”, Durrës në një arenë moderne me kapacitet të përmirësuar, përveç ndërtimit të tribunave të reja dhe ambienteve të dedikuara për sportistët, mediat dhe publikun, projekti parashikon krijimin e një infrastrukture mbështetëse që përmirëson përvojën e përdoruesve (zhvillim publik).
2. Zona e dytë do të jetë një zonë multifunksionale në të cilën do të ketë një qendër konferencash, zyra, një bibliotekë, një qendër kulturore dhe sportive dhe ambiente të tjera multifunksionale me një sipërfaqe prej 32,715 m2 (zhvillim publik dhe multifunksional).
3. Zona e tretë e zhvilluar do të jetë një zonë multifunksionale e fokusuar në ambiente zyrash dhe prodhimi, hapësira tregtare dhe argëtimi 28,598 m2 (zhvillim multifunksional)
4. Zona e katërt e zhvilluar do të fokusohet në banim dhe ambiente tregtare 18,597m2 (zhvillim multifunksional)
5. Zona e pestë ndërtesa e fundit është hoteli i farit, një godinë “llambe” e vendosur në sheshin e ri dhe aksesi kryesor është nga Jugu 11,562 m2 (zhvillim hospitality)
Detyrimet e partnerit publik dhe atij privat
Korporata e Investimeve Shqiptare në dokumente ka sqaruar se cilat janë detyrimet që ka partneri publik dhe ai privat në këtë projekt dhe mënyra sesi do të bëhët financimi.
Konkretisht Partneri Publik vë në dispozicion pronat e tij për zhvillim. Sipas këtij modeli, Partneri Publik, nuk ka asnjë implikim/kontribut financiar për sa i përket kostove dhe shpenzimeve pasi stadiumi dhe ambientet sportive do të ndërtohen 100% me kapitalin financiar të partnerit privat.
Me synimin për të përmirësuar ndjeshëm infrastrukturën sportive dhe për të gjeneruar një impuls të ri për zhvillimin urban të qytetit, Bashkia Durrës ka identifikuar dhe vënë në dispozicion një paketë pronash me rëndësi strategjike për zbatimin e projektit
Përgjegjës për aspektin financiar është në 100 për qind të kostos partneri privat. Ky i fundit merr pas hapësira të cilat hidhen në treg duke gjeneruar përfitime.
Aplikimet mund të dorëzohen me email, dorazi ose me postë deri në datë 15 Shtator 2025, ora 15:00, ora lokale. Konkursi do të ketë dy faza dhe në fazën e dytë do të njoftohen ata që kualifikohen nga faza e parë.
Kriteri bazë në ofertat e paraqitura është 45 për qind. Avantazh në këtë rast ka aplikanti që ofron përqindjen më të lartë e sipërfaqes së ofruar për Korporatën mbi kriterin bazë, të përllogaritur mbi sipërfaqen totale të metrave katrorë të zhvilluar në pronën shtetërore (prona e Bashkisë Durrës, prona shtet dhe prona e Korporatës).
Rijetëzimi i stadiumit te Durresit vjen pas shpalljes se projektit te ngjashem per Pallatin e Sportit “Asllan Rusi“. Jane disa projekte që qeveria ka nisur sa i takon zhvillimit të pronave në partneritet me privatin. Më herët me të njëjtë procedurë u shpall fituesi për VOID Tower dhe kompleksin governativ që do t’i shërbejë me ambiente disa institucioneve publike teksa është rihapur disa herë thirrja për për kadastrën dhe LIFT Tower por pa nje fitues.
Një tjetër projekt që do po ndjek këtë model është stadiumi “Selman Stermasi” tashmë me një fitues apo zhvillimi i vilave qeveritare në hotele marka ndërkombëtare në Vlorë dhe Velipojë që do të mbajnë markën “Melia”. Shteti në këto projekte do jep pronën për zhvillim duke marrë pas sipërfaqe ndërtimore e cila gjeneron të ardhura./Monitor
Komente
