Me një projekt tërësisht modern stadiumi i ri i Kukësit, “Zeqir Ymeri” pritet të inaugurohet më 15 tetor të këtij viti. Inxhinieri i firmës ndërtuese Luan Dashi tregon se ka përfunduar vendosja e stolave në tribunat e stadiumit dhe aktualisht po punohet me shtrimin e fushës stërvitore me rërë ku javën e ardhshme shtrohet tapeti i ri me bar natyral.
“ Sapo filloi dhe shtrimi i shtresës përfundimtare të rërës, për pjesën e fushës së futbollit montimi i stolave po vazhdon. Po përfundon edhe montimi i paneleve kryesore për ndriçimin Besoj do testohet vetëm pjesa e ndriçimit dhe gjithçka do të jetë gati”, tha inxhinieri Luan Dashi.
Për tifozët dhe sportdashësit kuksian ardhja e skuadrës së zemrës në fushën e re të stadiumit të tyre është kënaqësi.
“Është bërë një stadium model, stadium europian. Kënaqësia më e madhe është për ne që është bërë ky stadium. Me bo ndeshje në Kukës, është një kënaqësi e veçantë edhe për ekipin tonë sepse jemi mirë këtë vit”, shprehet një tifoz.
“Besojmë që brenda dy javëve do të përfundojë procesi i fushës. Po presim me padurim që ekipi të kthehet në stadiumin e ri në Kukës, dhe tifozat do ta ndjekin vazhdimisht”, tha njw tjetwr tifoz.
I projektuar me një kapacitet prej 8 mijë tifozësh, impianti modern i stadiumit ka kushtuar rreth 10 milionë Euro, bashkëfinancim i Qeverisë dhe Federatës së Futbollit.