Stalini, Shqipëria, mësime të historisë

6 Mars 2023, 09:21| Përditesimi: 6 Mars 2023, 09:23

  • Share

70 vjet më parë vdiq Josif Stalini, një nga diktatorët më të tmerrshëm të shekullit XX.  Miliona njerëz vdiqën, u burgosën, internuan e torturuan gjatë sundimit të tij të gjatë në krye të Bashkimit Sovietik. Pak prej atyre që vuajtën këto dënime ishin vërtet kundërshtarë të regjimit stalinist. Shumica ishin thjesht viktima të një sistemi që kishte vazhdimisht nevojë për armiq të brendshëm e tradhëtarë për të mbajtur në këmbë një sistem që ushqehej me paranoja dhe frikë, e një ekonomi që mbështetej fuqishëm në punën e detyruar të krahut.

Vdekja e Stalinit solli mundësinë për ndryshim në Bashkimin Sovietik. Diktatura u zbut e dënimet masive e të panevojshme u ndalën. Këto ndryshime u pasqyruan në mbarë Lindjen komuniste, por jo në Shqipërinë e Enver Hoxhës. Shqipëria ishte një vend i rrallë ku kulti i Stalinit mbeti në këmbë e ku metodat e tij e të ministrit të tij famëkeq të Brendshëm vazhduan të zbatohen. Për ironi, edhe në Shqipëri, shumë prej të dënuarve në vitet që vijuan ishin ish-komunistë, të shpallur e zbuluar si “armiq”. Për fat të keq u ndëshkuan ashpër edhe shumë profesionistë të fushave të ndryshme si “sabotatorë” e njerëz me ndikime “liberale” e “borgjeze”. Në fakt, shumica e tyre ishin thjesht fatkeqë që u goditën nga një diktaturë që gjithashtu kishte nevojë të zbulonte vazhdimisht armiq, nga nevoja paranojake për të mbajtur në një gjendje të përhershme frike e vigjilence mbarë vendin.

Spastrimet e natyrës staliniste në fusha të ndryshme të jetës, nuk sollën asnjë përmirësim për vendin, madje as për vetë regjimin. Ishte një lloj çmendurie e panevojshme e një regjimi dhe të një diktatori që refuzonte të besonte apo të pranonte se e kishte çimentuar më në fund pushtetin e vet.

Në 5 mars 1953, e gjithë Shqipëria u ul në gjunjë për të nderuar diktatorin e një vendi tjetër, udhëheqësin e gati gjysmës së kontinentit ku ca me hir e ca me pahir ishte bashkuar edhe Shqipëria. Përulja teatrale në Sheshin ku ende nuk ishte shfaqur Skëndebeu me kalë ishte premtimi se Shqipëria do të përpiqej të vazhdonte në gjurmët e versionit më gjakatar të komunizmit. 

Sot, debatet për Stalinin nuk janë shumë të ndryshme nga ato për Hoxhën. A ishte ky regjim mizor nga natyra, a ishte në natyrën e këtij regjimi që dhunon jo vetëm kundërshtarët por ua ha kokën edhe bijve të vet, apo ishte faji i njeriut që u vendos në krye që i dha regjimit fytyrë gjakatare duke vrarë e burgosur edhe shokët e vet?

Sipas një këndvështrimi, sistemi i diktaturave funksionon në atë mënyrë. Stalini nëse nuk do të zhduket shokët e tij do ta kishin zhdukur ata atë. Por ky mund të jetë edhe spekullim. Disa diktatura në Europën Lindore e Qendrore kanë pasur një numër më të vogël të dënuarish mes udhëheqësve komunistë. Kjo të shtyn të mendosh se ndoshta natyra e diktatorit ka gdhendur sistemin, më shumë se sistemi diktatorin.

Por mund të mos jetë as sistemi e as udhëheqësi faktori kryesor. Mund të jetë historia e vendit, kultura, e tradita që mund të kenë ndikuar. Zhvillimi ekonomik, rreziku real për rrëzim të regjimit në vitet e para mund të kenë qenë gjithashtu përcaktuese të shkallës së ashpërsisë së sistemit.

Në Shqipëri, komunistët ishin vazhdimisht citues të rrezikut të jashtëm, rrethimit imperialist-borgjez që rrezikonte Shqipërinë, rrezikut të ngritjes dhe hakmarrjes së klasave të përmbysura e të tjera. Mirëpo, në fund, komunistët më shumë i vrau dhe i burgosi sistemi i tyre me udhëheqësin e tyre të dashur Enver Hoxhën në krye sesa armiqtë imagjinarë e të vërtetë.

Ashtu sin ë Bashkimin Sovietik, ku asnjë prej drejtuesve të partisë bolshevike të kohës së Revolucionit nuk mbeti pa u dënuar nëse nuk i kishte shpëtuar vdekja më parë, përveç Stalinit, edhe në Shqipëri, Enver Hoxha ishte i vetmi në pushtet 40 vjet pas themelimit të Partisë Komuniste. Me ndonjë përjashtim anësor, të gjithë ata që kishin pasur një rol të dorës së parë ishin shuar ose mënjanuar. Nga Mehmet Shehu që ishte kryeministër për shumë dekada e shumica e ish anëtarëve të byrosë politike e një numër i madh i Komitetit Qendror përfunduan në burgje e internime, madje edhe pushkatime.

Kur ra komunizmi ish-të persekutuarit nuk vrapuan të marrin hak. “Armiqtë e huaj” nuk erdhën për të na pushtuar. Mund të thuhet se shumë ish-komunistë po jetojnë shumë më mirë sot sesa “në komunizëm”.

Në fund, stalinizmi i Enver Hoxhës mund të ketë qenë një justifikim. Nuk është çudi që do të kishte eliminuar ish-shokët e tij gjithësesi, do të kishte sunduar po me atë regjim frike e përgjimi edhe pa shembullin e Stalinit. Ndoshta më shumë se një model, ai gjeti te diktatori sovietik një konfirmim.

“Stalinizmi” i Hoxhës mund të ketë qenë pra një zgjedhje pragmatike.

Lidhja e ngushtë filloi në kohën kur Shqipëria po bëhej pjesë e Jugosllavisë dhe Hoxha kishte filluar ta kuptonte që Titoja herët e vonë mund ta zëvendësonte me dikë më të besuar. (Ai dyshonte te Koçi Xoxe.) Në këtë kohë erdhi prishja e Stalinit me Titon dhe Hoxha e krahu i tij në parti u hodh me entuziazëm në krahun e aleatit më të madh.

Vite më vonë, kur Hrushovi, udhëheqësi i radhës i Bashkimit Sovietik denoncoi “kultin e individit” dhe metodat e tjera stalianiane që kishin sjellë viktima masive, Hoxha iu bashkua me ndryshimeve dhe i përqafoi këto dënime. Mirëpo, kur pa se në shumicën e vendeve të tjera socialiste po ndryshoheshin udhëheqësit, u ndje i pasigurtë, dhe në përplasjen e radhës në kampin socialist, atë mes Moskës dhe Pekinit, u hodh në anën e këtij të fundit. Pas kësaj, miti i Stalinit u kthye në fuqi. Hrushovi u akuzua për tradhëti ndaj Stalinit.

Në shumë drejtime, ideologjia e idhujt janë shpesh thjesht justifikime të diktaturave. Në atë kuptim, Stalini dhe stalinizmi kishin rëndësi për Hoxhën aq sa dhe atëherë kur kishte nevojë.

Sigurisht Stalini ndikoi në fatin e Shqipërisë shumë kohë përpara se Enver Hoxha të gjente pika të përbashkëta me të e me modelin e tij. Komunizmi dukej larg nga Shqipëria kur erdhi në pushtet. Megjithatë, ndikimi i tij nuk vonoi. Një numër shqiptarësh u edukuan e trajnuan nga regjimi komunist e disa luajtën rol të madh personal që idetë komuniste e sovietike të përhapeshin edhe në Shqipëri. Ndonëse këta njerëz nuk u bënë pjesë e regjimit të Enverit apo u vranë apo mënjanuan shpejt nga enveristët.

Fitorja e Ushtrisë së Kuqe në Luftën e Dytë Botërore bëri që pjesa lindore e kontinentit europian të mbetej praktikisht e pushtuar nga Bashkimi Sovietik. Qeveri socialiste të varuara nga Moska u vendosën në këto vende e qeverisën për gati gjysëmshekulli. Shqipëria ishte një rast pak më i veçantë. Mund të kishte përfunduar “në Perëndim” si Greqia por u trajtua që në fillim si pjesë e Jugosllavisë, më shumë duke u harruar nga Aleatët sesa duke iu caktuar një vend në epokën e Luftës së Ftontë. Që nga viti 1948, ne ishim në Botën e Dytë si vend më vete, me Stalinin idhulin e ri të kohës.

Ishte një anomali historike, përgjegjësia për të cilën bie edhe mbi ne shqiptarët. Për gati një shekull të formimit të kombeve dhe daljes së tyre në hartë, Rusia kishte qenë fuqia e madhe që më së shumti kishte dëmtuar interesat e shqiptarëve, duke ndihmuar zgjerimin e Serbisë dhe të Malit të Zi.

Ndryshe nga vendet ku u vendos komunizmi Shqipëria nuk u çlirua apo pushtua nga Ushtria e Kuqe. E megjithatë, ne mbetëm pjesë e orbitës që pati si qendër Moskën. E ndonëse e ndërruam Bashkimin Sovietik me Kinën e pastaj vendosëm të mbylleshim në vetvete, ne mbetëm pjesë eksperimentit rus të kthyer në eksperiment ndërkombëtar nga Stalini.

70 vjet më vonë, kur për arsye propagande, figura e diktatorit Stalin po arnohet e zbukurohet me makiazh për të justifikuar politikat e sotme putiniane, për fat të mirë mbetet gjallë edhe kujtimi i një dhune të paparë çnjerëzore, e një injorimi tërësor të humanizmit e të rishkrimit të paturpshëm të historisë për të justifikuar marrëzinë dhe paranojën në pushtet. Kjo anë e errët e sundimit të diktatorëve nuk duhet harruar e falur kurrë. Është e vetmja mënyrë për të mos lejuar që të përsëritet në një formë tjetër, në një kohë të re.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?