Stambolli ndalon konsumimin e alkoolit në vende publike, reagojnë ashpër komentuesit në rrjete sociale: U aplikua Sharia

30 Gusht 2023, 20:14| Përditesimi: 30 Gusht 2023, 20:22

  • Share

Guvernatori i Stambollit, Davut Gul, një zyrtar i emëruar nga presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, ka zbatuar ndalimin e konsumit të alkoolit në vende publike si parqe, plazhe dhe zona pikniku.

“Vendimi u mor për të mbrojtur mjedisin natyror dhe për të parandaluar personat që mund të shkaktojnë ndonjë sherr teksa janë të alkoolizuar", tha guvernatori Davut Gul.

Ai tha se ata që nuk respektojnë këtë gjë do të gjobiten me 617 lira turke (26 euro). Përfaqësuesi i autoriteteve qendrore në provincën e Stambollit nuk dha një bazë ligjore për vendimin, raportojnë mediat e huaja.

Në Turqi, nuk ka asnjë ligj që ndalon në mënyrë eksplicite konsumimin e alkoolit në vende publike.  Rregullorja e vetme në fuqi është neni 35 i Ligjit për Kundërvajtje, i cili parashikon gjoba për “individët që prishin qetësinë e të tjerëve nën ndikimin e alkoolit”.

Lajmi ka sjellë një reagim të ashpër në rrjetet sociale, ku shumë e cilësojnë këtë censurim si nisjen e aplikimit të ligjit të fortë islamik të Sharias në Stamboll.

Sharia është një fjalë arabe që do të thotë "rruga" ose "rruga drejt ujit". Për shekuj me radhë, studiuesit myslimanë kanë dhënë një përkufizim të gjerë të Sheriatit duke pasqyruar shumëllojshmërinë e interpretimeve se si muslimanët janë përpjekur të kuptojnë dhe praktikojnë më së miri besimin e tyre.

Ky vendim është i fundit në një sërë masash të marra nga qeveria për të kufizuar konsumin e alkoolit në Turqi. Në 10 vitet e fundit, ka pasur një ndalim të shitjes së pijeve alkoolike në dyqane pas orës 22:00 me orën lokale. Reklamimi i pijeve alkoolike në vitrinat e dyqaneve është gjithashtu i paligjshëm në Turqi.

S.S/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?