Opinion

Standardi i dyfishtë i patriotëve me çështjen ‘Bregoviç’

13 Gusht 2021, 10:18| Përditesimi: 13 Gusht 2021, 10:20

  • Share

Çështja e këngëtarit jugosllav Goran Bregoviç, i ftuar në Korçë për Festën e Birrës, ka marrë një vëmendje të lartë të publikut në Shqipëri e Kosovë. Lumë komentesh në rrjetet sociale, analiza e editoriale në mediat e shkruara e ato online, e kanë shoqëruar muajin gusht rreth kësaj pjesëmarrje të Bregoviç-it në Korçë.

Ata që rreshtohen kundër ardhjes së tij trajtohen si patriotë, kurse ata që janë pro pjesëmarrjes së Bregoviç-it, trajtohen si tradhëtar. Tradhëtia në këtë rast ka të bëjë me Kosovën, ku bëhet një lidhje e shkurtër midis luftës e masakrave serbe mbi të, dhe qenies së Bregoviç-it si qytetar i Serbisë, nga ku ka mishin prej mamasë, ndonëse gjakun e ka kroat prej babait.

Nuk dua të gjykoj asnjë palë, as ata pro e as ata kundër, sepse secila është në të drejtën e vetë që të mendojë ashtu siç e gjykon, qoftë me mendje e qoftë me zemër.

Por ajo që unë nuk bie dakord me patriotët që nuk duan praninë e Bregoviç-it, është përjashtimi i një pale, që në këtë rast është Goran Bregoviç, dhe indiferenca për një palë tjetër që është Lefteris Pantazis.

Sipas programit festiv të Bashkisë Korçë, këngëtari grek Lefteris Pantazis do të hapi natën e parë të festës, më datë 18 gusht. Çdokush mund të pyesë, çfarë lidhje ka Lefteris Pantazis me Goran Bregoviç-in?!

Siç thash më lart, Pantazis është një këngëtar grek. Kush e njeh historinë e Shqipërisë, i di fare mirë qëllimet e dikurshme të politikës së lartë greke për aneksimin e Korçës. Për këtë qëllim, prej ushtrive greke janë kryer masakra të tmerrshme në Korçë ku më tragjikja është “Masakra e Panaritit” e vitit 1914, ku u therën e u dogjën të gjallë 375 burra, fëmijë e gra shtatzëna. Nuk po shkoj edhe më tej tek “Masakra e Hormovës” në Tepelenë e shumë zona të tjera, por po rri vetëm në zonën e Korçës, ku në kohë të ndryshme qarqet greke kanë vrarë patriotë dhe klerikë të shquar shqiptarë.

Pyetja që lind është: A kanë dëgjuar gjë patriotët shqiptarë që këngëtari Pantazis të jetë distancuar ndonjëherë nga këto krime të grekëve ndaj korçarëve? Unë jo personalisht.

Krimet, si të ndodhin përpara 107 vitesh në rastin e “Masakrës së Panaritit” në Korçë e të tjera pas saj, prej grekëve; si të ndodhin përpara 22 vitesh në Kosovë, prej serbëve, krime janë. Nuk ka krime të mëdha e krime të vogla, duke u nisur nga përmasat e tragjedisë. Ato janë të dënueshme, pavarësisht numrave krahasues, sepse mbartin në vetvete një qëllim të caktuar politik për të spastruar një territor të caktuar nga popullsia vendase, me qëllim aneksimin e tij.

Greku Pantazis nuk mund të trajtohet më butësisht sesa jugosllavi Bregoviç, vetëm pse nuk ka në repertorin e tij këngë që i kushtohen armës “Kallashnikov”. Sepse një këngë me të tillë lajtmotiv u bë sebep që Bregoviç të akuzohet se ka frymëzuar armatën serbe për të sulmuar Kosovën. Po meqë jemi në këtë temë, një pyetje kam unë: Po luftëtarët e UÇK-së, cilën armë automatike përdorën dhe e luftuan ushtrinë serbe?! Në qoftë se nuk ka qenë automatiku “Kallashnikov”, kërkoj ndjesë.

Që të mos përdorim standard të dyfishtë, ose Leftersis Pantazis dhe Goran Bregoviç duhet të lihen të këndojnë sipas programit në Festën e Birrës në Korçë, ose të dyve t’u tregohet dera e të mos qasen as tek brezi i butë i kufirit. Sa kohë që Lefteris Pantazis nuk tregon distancim prej masakrave greke në qarkun e Korçës, ai duhet të konsiderohet i të njëjtit standard me të cilin po trajtohet edhe jugosllavi Bregoviç. 

Komento

Komente

  • Artisti: 13/08/2021 18:02

    Ky është një qetnik, ky nuk është artist! Ftesa për në Korçë është politik e km Rama Dhe presidentinstallations të Ramës Vuçiç !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?