Peter Stano

Dialogu Kosovë-Serbi/ Stano: Zbatimi i marrëveshjes kërkesë e Brukselit dhe e Uashingtonit

10 Shtator, 17:30| Përditesimi: 10 Shtator, 17:35

  • Share

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano u tha gazetarëve se nuk ka çfarë të shtojë më shumë lidhur me pohimet e emisarit evropian për dialog Miroslav Lajçak se Serbia e ka tërhequr letrën me anë të së cilës konteston disa pika nga Marrëveshja e Ohrit.

“Nuk do të përsëris atë që Përfaqësuesi Special i BE-së ka thënë tashmë. Mund të theksoj vetëm atë që është përfshirë në një sërë porosish, qëndrimesh, komentesh të BE-së, duke përfshirë edhe nga shtetet anëtare dhe është përfshirë edhe në konkluzionet e Këshillit Evropian, se edhe Serbia edhe Kosova duhet të kenë për detyrë të zbatojnë Marrëveshjen e Ohrit dhe nëse nuk e bëjnë, nuk do të mund të vazhdojnë në rrugën e tyre drejt BE-së. Është shumë e qartë. Pra, për ne ky është dokumenti përfundimtar dhe i detyrueshëm sipas të drejtës ndërkombëtare si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë dhe nuk nevojiten hapa të mëtejshëm për ta zbatuar apo për t'u sforcuar”, ka deklaruar Stano.

Sipas zëdhënësit evropian, domosdoshmëria për nisje të zbatimit të marrëveshjes nuk është vetëm kërkesë e Brukselit por edhe e Uashingtonit.

Emisari evropian për dialog Miroslav Lajçak të premten e kaluar në Prishtinë ka konfirmuar që Serbia është tërhequr prej letrës së dërguar në Bruksel vitin e kaluar, në të cilën ka shprehur rezerva për zbatim të Marrëveshjes së Ohrit, në ato pikat që paraqesin vija të kuqe për shtetin serb. Ish kryeministrja Ana Bërnabiç në këtë letër kishte precizuar se marrëveshja është e pranueshme vetëm në një kontekst që nuk i referohet njohjes de fakto apo de jure të Kosovës, përfshirë këtu pikat që i referohen respektimit të integritetit territorial si dhe mos pengimit të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare.

Përpos komentit se “nuk ka çfarë t’i shtojë asaj çfarë tashmë e kishte thënë Lajçak”, Peter Stano nuk dha detaje se kur dhe në ç’mënyrë Serbia e ka njoftuar BE-në lidhur me tërheqjen e letrës.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?