Keir Starmer

Bota

Vendimi i Starmer: Në shtator, Londra do të njohë Shtetin e Palestinës nëse Izraeli nuk pranon armëpushimin në Gaza

29 Korrik, 18:46| Përditesimi: 29 Korrik, 23:31

  • Share

LONDËR – Starmer ka deklaruar se "në shtator do të ndodhë njohja e shtetit palestinez, nëse nuk do të ketë një armëpushim në Gaza". Kryeministri britanik ka saktësuar gjithashtu se "momenti për të njohur Palestinën është tani". Ai ka shtuar se “për shkak të situatës gjithnjë e më të patolerueshme në Gaza dhe perspektivës gjithnjë e më të largët për një proces paqeje drejt zgjidhjes me dy shtete, ky është momenti i duhur për të çuar përpara këtë qëndrim”, ka bërë të ditur një zëdhënës i Downing Street.

Pak para këtyre deklaratave, gazeta New York Times kishte raportuar se kryeministri britanik po shqyrtonte njohjen e shtetit palestinez. Sipas gazetës, ndryshimi i linjës politike lidhej me presionin e brendshëm politik, i cili është shtuar për shkak të përkeqësimit të krizës humanitare në Gaza.

Qëndrimi i ri u bë publik nga Starmer gjatë një mbledhjeje të qeverisë të thirrur sot, pavarësisht pushimeve verore, për të diskutuar një plan të ri për paqen në Lindjen e Mesme. Përpara Downing Street, në pritje të shpalljes, qindra persona ishin mbledhur të pajisur me tenxhere, tiganë, lugë dhe pirunë, të cilët i godisnin vazhdimisht në shenjë proteste kundër urisë në Gaza.

Një zëdhënës theksoi se bëhet fjalë për një “plan britanik” për të cilin kryeministri ka diskutuar me aleatët Francën dhe Gjermaninë – të ashtuquajturat E3 – dhe që Starmer e ka shpjeguar gjithashtu edhe gjatë takimit të djeshëm në Skoci me presidentin amerikan Donald Trump.

Ndër përparësitë e planit përfshihet ndërhyrja për të lehtësuar sa më shpejt krizën humanitare, që u cilësua si “e papranueshme dhe e neveritshme”, si dhe vendosja e themeleve për një paqe të qëndrueshme dhe afatgjatë. Ministri i Jashtëm, David Lammy, do të paraqesë qëndrimin britanik që sot në Nju Jork, gjatë konferencës së Kombeve të Bashkuara që promovon zgjidhjen me dy shtete, e bashkëdrejtuar nga Franca dhe Arabia Saudite.

Mbi Starmerin ndikon gjithashtu presioni i parlamentit për njohjen e shtetit palestinez, të cilën vetë kryeministri e ka quajtur “një të drejtë të patjetërsueshme”. Starmer nuk ka pasur asnjëherë dyshime për njohjen e Palestinës, por dëshironte të zgjidhte “momentin e duhur, për të arritur rezultate afatgjata”, i cili sipas tij, tashmë ka ardhur.

Ndërkohë, 225 deputetë kanë nënshkruar letrën me të cilën Dhoma e Komunave i kërkon kryeministrit të njohë sa më shpejt shtetin palestinez, duke theksuar se një deklaratë e qartë nga Britania do të ishte një hap i rëndësishëm drejt zgjidhjes me dy shtete. Kjo përbën më shumë se një të tretën e dhomës së ulët të parlamentit: mes firmëtarëve janë edhe shumë prej ministrave që sot janë takuar me Starmerin, disa personalisht dhe disa në distancë.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Prokuroria, GJL e Dhoma Avokatisë kundër draftit të Kodit Penal, si iu duket?