Ministri i Brendshëm Ervin Hoxha zhvilloi një vizitë, së bashku me kryeministrin Britanik Starmer, në Portin e Durrësit. Pas takimit, Hoxha bën me dije se panë nga afër masat dhe kontrollet kufitare në port.
Hoxha thotë se diskutuan gjithashtu edhe për rezultatet e konferencës së fundit që u mbajt në Londër lidhur me menaxhimin e emigracionit të paligjshëm. Përmend gjithashtu bashkëpunimin e fortë mes dy vendeve.
"Prita sot Kryeministrin e Britanisë së Madhe Keir Starmer, në të parën vizitë zyrtare në Shqipëri, dhe pamë nga afër masat konkrete e kontrollet kufitare në Portin e rëndësishëm të Durrësit. Së bashku me Britaninë e Madhe kemi ndërtuar histori suksesi, në menaxhimin e migracionit të paligjshëm.
Fola me Kryeministrin Starmer mbi rezultatet e konferencës së fundit që u mbajt në Londër ku mora pjesë si përfaqësues i palës shqiptare. Me Anglinë kemi ndërtuar një bashkëpunim të fortë dhe efikas. Ndihma e tyre ka ndikuar në rritjen e kapaciteteve tona policore. Tashmë kemi oficerë të Policisë së Shtetit që punojnë në skuadra të përbashkëta hetimore me Policinë britanike.
Ndajmë bindjen se rezultatet mbresëlënëse kundër migracionit të paligjshëm do t'i zgjerojmë edhe në fushën e luftës kundër krimit të organizuar", ka shkruar ministri Hoxha.
Lajmi kryesor:
Starmer nga Tirana: Do prodhojmë bashkë mjete ushtarake! Rama: U ul numri i emigrantëve të paligjshëm, mit që shqiptarët janë problem për Britaninë (FOTO+VIDEO)
Xh.D/r.k./ReportTv.al