Starova dhe Shakohoxha kundërshtarët e Dukës, zyrtarizohen kandidaturat për zgjedhjet në FSHF! Surprizat e Tiranës dhe Partizanit, propozojnë për Komitet Ekzekutiv dy gazetarët e njohur

11 Shkurt 2022, 18:39| Përditesimi: 12 Shkurt 2022, 12:29

  • Share

Federata Shqiptare e Futbollit ka zyrtarizuar kandidatët për presidentin e ri të federatës. FSHF zhvilloi sot mbledhjen e Komisionit të Verifikimit dhe siç ishte përfolur më parë u miratuan tre kandidaturat Armand Duka, komentatori Dritan Shakohoxha dhe ish-sekretari i përgjithshëm i federatës Sulejman Starova.

Ndërkohë janë propozuar edhe 12 anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, ku ndër to spikatën emrat e dy gazetarëve sportiv, Pano Xhixha dhe Anila Basha. Mësohet se dy gazetarët janë propozuar nga dy klubet kryesore të kryeqytetit Tirana dhe Partizani.

"U zhvillua ditën e sotme mbledhja e Komisionit të Verifikimit, që kishte në axhendë verifikimin e ligjshmërisë së propozimeve dhe integritetin e kandidatëve të propozuar për President dhe anëtar të Komitetit Ekzekutiv të Federatës Shqiptare të Futbollit. Në përfundim të mbledhjes, që erdhi një ditë pas përfundimit të afatit për depozitimin e kandidaturave për postin e Presidentit të FSHF-së dhe anëtarëve të Komitetit Ekzekutiv, pasi u shqyrtuan propozimet e sjella nga anëtarët, rezultoi se për postin e kandidatit për President të Federatës Shqiptare të Futbollit kanë marrë numrin e propozimeve të nevojshëm personat: Armand Duka, Dritan Shakohoxha, Sulejman Starova. Kandidatët për anëtar të Komitet Ekzekutiv  të FSHF janë 12, të cilët kanë marrë numrin e nevojshëm të propozimeve për të qenë zyrtarisht në garë, së paku 2 propozime, janë personat: Abdyl Kuriu, Anila Basha, Arben Dervishaj, Fatbardh Jera, Envi Hicka, Ermal Tahiri, Ervin Canollari, Gjergji Petro, Lutfi Nuriu, Pano Xhixho,Vasil Bicaj, Ylli Ҫekiҫi. Komisioni i Verifikimit është organi përgjegjës për organizimin dhe mbikëqyrjen e procesit zgjedhor në përputhje me Rregulloren e Asamblesë së FSHF-së dhe kryerjen e kontrollit të integritetit, i miratuar në Asamblenë e Përgjithshme të FSHF-së.", thuhet në njoftimin e FSHF

Të mërkurën, përkundër statutit, FSHF mbylli përmes një procesi manipulativ zgjedhjet në 8 shoqatat rajonale të futbollit që kanë gati 50% të votave në asamblenë e 2 marsit. Në gjykatë për manipulimet e federatës janë edhe shoqatat e Durrësit, Gjirokastrës dhe Shkodrës, ndërsa edhe Fieri e Korça kanë patur kundërshti të forta.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?