SPAK

Editorial

EDITORIAL/ Statistikat e SPAK: Masat e paraburgimit në Shqipëri mbeten dyfish më të larta se kulmi i "Mani Pulite" në Itali

19 Shkurt, 14:25| Përditesimi: 19 Shkurt, 16:34

  • Share

Pasi politika, duke përfshirë maxhorancën, ka shprehur kritika ndaj SPAK për përdorimin e tepruar të paraburgimit ndaj zyrtarëve, duke i akuzuar ata se e përdorin burgosjen si instrument për statistika penale, Prokuroria e Posaçme iu përgjigj me statistika. Por të dhënat e publikuara sot nga Prokuroria e Posaçme nuk sjellin qetësim, përkundrazi, ato konfirmojnë alarmin.

Sipas të dhënave zyrtare, gjatë vitit 2024, Prokuroria e Posaçme ka kryer hetime ndaj 629 personave. Prej tyre, 236 persona ose 37.5% janë hetuar nën masën e sigurimit "arrest me burg", 147 persona ose 23.4% janë hetuar me masa të tjera sigurie dhe 246 persona ose 39.1% janë hetuar në gjendje të lirë. Prokuroria nuk shpjegon sa persona nga këta janë zyrtarë të hetuar për korrupsion ose shpërdorim detyre, ndërkohë që në gjendje “arrest në shtëpi”, që gjithashtu është një masë paraburgimi, janë 46, një numër që përfshihet në shifrën prej 147 personash të hetuar “me masa të tjera sigurie”, ku janë edhe të hetuar në detyrimin për paraqitjeje. Prandaj, numri real i të arrestuarve në burg ose në shtëpi gjatë fazës së hetimeve paraprake, shkon në 282, pra 45%! Ky është një nivel jashtëzakonisht i lartë nëse krahasohet, për shembull, me situatën në Itali.

Në periudhën e nxehtë të “Mani Pulite”, fenomen me të cilin shpesh krahasohet veprimi i SPAK dhe që çoi në Italinë shembjen e klasës së vjetër politike, numri i të hetuarve për korrupsion ishte rreth 4.500, por të arrestuarit ishin vetëm 1.300, ose 28% (pastaj rreth 1.200 ishin ata që u dënuan përfundimisht). Përqindja prej 28% e të arrestuarve bëri bujë dhe mbeti një fenomen i kufizuar në një periudhë të emergjencës. Në kohët më të fundit, kjo përqindje është ulur edhe më shumë: sipas një raporti të Autoritetit Kombëtar Antikorrupsion në Itali, në periudhën 2016-2019, janë regjistruar në Itali 207 zyrtarë publikë ose persona me funksion publik nën hetim për korrupsion. Nga këta, vetëm 43 u arrestuan, duke përfshirë 20 kryetarë bashkie, pra rreth 20%.

Këto statistika tregojnë se përdorimi i masës ekstreme të paraburgimit (në burg apo në shtepi) nga SPAK, me përqindje që i kalojnë 45% të të hetuarve, është objektivisht shumë i lartë dhe në krahasim me nivelin e regjistruar në Itali në periudhën e emergjencës më të madhe. Ky tregues nuk mund të zbutet as me statistikat e publikuara nga Drejtoria e Burgjeve, sipas të cilave vetëm 10% e personave në paraburgim janë të hetuar nga SPAK (270 mbi një totale e 2791), sepse edhe ky është një nivel i lartë nëse marrim parasysh numrin e madh të veprave penale për të cilat mund të arrestohesh sipas Kodit Penal, ndërkohë që kompetencat e SPAK janë të kufizuara vetëm në shumë pak vepra, ato më të të rënda.

Nga ana tjetër, niveli i lartë i paraburgimit nuk është problem vetëm për SPAK. Sipas të dhënave të Këshillit të Europës, në vitin 2024 Shqipëria ka një normë prej 195 të burgosur për 100.000 banorë, më e larta edhe në rajon. Në nivel botëror, Shqipëria renditet rreth vendit të 52-të, sipas statistikave globale mbi normat e burgosjes. Për krahasim, mesatarja e vendeve të Bashkimit Europian është rreth 100 të burgosur për 100.000 banorë, një nivel shumë më i ulët krahasuar me shumë vende të Europës Lindore. Në Europën Perëndimore, normat e burgosjes janë përgjithësisht më të ulëta, me vende si Finlanda (52), Holanda (52), Norvegjia (55) dhe Suedia (80) që kanë norma ndjeshëm më të ulëta se mesatarja e BE-së. 

Pas 30 vitesh ku në Shqipëri gjyqtarët dhe prokurorët ishin në shërbim të politikanëve, reforma që solli lindjen e SPAK dhe procesin e vettingut ka rikthyer me në fund kuptimin e fjalës “drejtësi”. Por, procesi i normalizimi ende nuk ka përfunduar dhe, pas një periudhe ku nuk kishte fare drejtësi, tani ekziston rreziku i efektit të kundërt, dhe kjo mund të jetë edhe më e rrezikshme. Në një vend civil dhe demokratik, është gjithmonë më e pranueshme që një fajtor të jetë i lirë sesa një i pafajshëm në burg.(c.b.)

xy/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Programi i PS, a ju duken të realizueshme objektivat ekonomikë?