Foto ilustruese

Statusi i minatorit, PD dorëzon në Kuvend projektligjin: Paga jo më e vogël se dyfishi i minimales! Pensioni i parakohshëm dhe kompensimi për aksidentet

31 Tetor, 15:05| Përditesimi: 31 Tetor, 22:41

  • Share

Partia Demokratike ka dorëzuar në Kuvend projektligjin për "Statusin e minatorit", ku kërkon ndryshime thelbësore dhe njohjen e të drejtave ekonomike dhe sociale të kësaj kategorie, e cila proteston pothuajse para çdo seance parlamentare ose para godinës së Kryeministrisë.

Nëse miratohet, pagat e minatorëve do të jenë jo më pak se dyfishi i asaj minimale, mosha e punës në pension të parakohshëm nis pas 25 viteve punë. Po kështu për ata që aksidentohen me vdekje në miniera parashikohet pagesë me 50% të rrogës për familjen dhe bursa shkolle për fëmijët. Nuk mungojnë trajtimi mjekësor falas, dëmshpërblimi për aksidentet apo rekuperimi i dëmeve fizike.

Shqiptarja.com po zbardh edhe disa nga nenet dhe pikat e projektligjit në fjalë, “Për statusin e minatorit”, që pritet të shqyrtohet dhe mban firmat e 9 deputetëve të opozitës si nënshkrim dhe i shjtrirë në 19 nene.

Në propozim përfshihet edhe pjesa e rrezikshmërisë së profesionit dhe për pension suplementar.

“Çdo minator që ka punuar të paktën 25 vite në minierë, ka të drejtën të dalë në pension të parakohshëm, pa penalitete. Pensioni suplementar për minatorët do të jetë 3% shtesë për çdo vit shërbimi mbi kufirin minimal të përcaktuar për pensionin bazë. Shteti do të ofrojë mbështetje për përgatitjen e minatorëve për punësim alternativ pas daljes në pension apo në rast të paaftësisë për punë të mëtejshme në miniera”, thuhet në Nenin nr. 4.

Më tej theksohet se paga e minatorëve përcaktohet në kontratën kolektive, “por në asnjë rast nuk mund të jetë më pak se dyfishi i pagës minimale në vend”.

Në Nenin 7 flitet për “kompensime për aksidentet në punë.

“Çdo minator që pëson aksident në vendin e punës ka të drejtë për kompensim të plotë për dëmtimin fizik apo mendor të shkaktuar nga aksidenti në punë, sipas legjislacionit në fuqi”.

Dhe një nen më poshtë është parashikuar edhe “sigurimi i papunësisë”.

“Minatorët që humbasin vendin e punës për shkak të mbylljes së minierave apo faktorëve të tjerë jashtë kontrollit të tyre, kanë prioritet për ripunësim në të njëjtin sektor apo sektorë të tjerë. Njësitë vendore ngarkohen nga ky ligj për të ripunësuar çdo minator në kushtet e pikës së parë”, thuhet në Nenin nr. 8.

Kurse gjatë periudhës së papunësisë, minatorëve iu njihet e drejta të përfitojnë shpërblim në masën e pagës minimale, duke shtuar dhe masën për vjetërsi në punë, për një periudhe 5-vjeçare.

Neni 9 trajton edhe rastet e aksidenteve fatale, “trajtimi i familjarëve në rast të humbjes së jetës në punë”.

“Familja në ngarkim të përfituesit të këtij statusi, kur ky aksidentohet me vdekje gjatë kohës së punës, përfiton pension familjar në masën 50% të pagës së tij referuese, pavarësisht nga periudha e sigurimit. Ky pension indeksohet njëlloj si pensionet e tjera. Fëmijëve të përfituesve të këtij statusi, që janë aksidentuar më parë ose pas daljes së këtij ligji me vdekje në punë, kur ndjekin arsimin e lartë, shteti u garanton bursë”, shkruhet në këtë nen.

Por ka edhe shpjegim për kohën e punës për të dalë në pension të parakohshëm, për ata që kanë punuar në nëntokë.

“Minatorët të cilët kanë punuar të paktën 10.5 vjet nëntokë, mund të dalin në pension përpara 25 vjet punë, por jo më pak se 20 vjet”, nënvizohet në këtë projektligj.

Gjithashtu kërkohet nga Ministria e Shëndetësisë që të hapen qendra mjekësore dhe shëndetësore për trajtimin e minatorëve, si dhe pavione për problemet që mund të kenë si pasojë e profesionit të vështirë.

Deputetja Jorida Tabaku e konfirmoi sot, dorëzimin e këtij projektligji që prej datës 29 Tetor, në takimin që pati me grupin e minatorëve protestues para Parlamentit.

Takimi i përfaqësuesve të PD-së erdhi pas premtimit të bërë disa javë më parë nga Tabaku, për një propozim ligjor për minatorët, i cili tashmë është dorëzuar.

Pas përfundimit të seancës parlamentare, Tabaku iu bashkua protestuesve, duke iu prezantuar draftin për statusin e minatorit. “Tani është momenti të shtyjmë para”, u tha ajo minatorëve.

Takimi i deputetes Tabaku me minatorët, sot para Parlamentit
Deputetët nënshkrues të PD:
1-Jorida Tabaku
2-Gazment Bardhi
3-Agron Gjekmarkaj
4-Ina Zhupa
5-Edi Paloka
6-Xhelal Mziu
7-Dhurata Çupi
8-Kreshnik Çollaku
9-Lefter Gështenja

 

(Kliko këtu për të lexuar dokumentin e plotë)  

A.Q/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?