Kuvendi Kombëtar i PD-së, ku u mjegulluan arsyet reale dhe përgjegjësit kryesorë për humbjen e zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, prodhoi debate, kundërshti dhe polemika të forta, duke përçarë më tej partinë më të madhe në opozitë. Tre ishin vendimmarrjet kryesore në Kuvendin e PD-së: Miratimi i ndryshimeve në statutin e partisë, zgjedhja e Këshillit të ri Kombëtar dhe pranimi i alibisë së Lulzim Bashës për humbjen e radhës. Janë propozuar dy paketa me ndryshime në statutin e PD-së. Një paketë nga kryetari i PD-së Lulzim Basha, e cila u pranuar dhe u miratua pa asnjë ndryshim. Një paketë tjetër me ndryshime u propozua nga kritikët e Bashës, përkatësisht nga grupimi ‘Pro PD’, e cila nuk u rrëzua, duke mos pranuar asnjë pikë.
Ndryshimet në statutin e PD-së parashikojnë për herë të parë mundësinë e dorëheqjes së Lulzim Bashës, por jo për shkak të humbjes në zgjedhjet parlamentare. Është ndryshuar neni 51 i statutit të mëparshëm, për kompetencat e kryetarit, i cili është bërë neni 46, duke parashikuar mundësinë e dorëheqjes së tij. Statusi i ri parashikon që në rast dorëheqje të Lulzim Bashës, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin e PD-së që do të drejtojë partinë deri zgjedhjen e Kryetarit të ri.
Përpos dorëheqjes, është parashikuar edhe mundësia e mungesës së zgjatur të Bashës në krye të PD-së. Në rast largimi të gjatë të Bashës, sërish Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi, mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon nënkryetarin e PD-së që do të drejtojë partinë deri kur të rikthehet Basha. Kjo pikë krijon dyshime të forta se Lulzim Basha po përgatit që tani terrenin për një humbje të mundshme në zgjedhjet parlamentare të 2025, ku Basha mund të largohet përkohësisht, duke i besuar partinë njëri prej bashkëpunëtorëve të ngushtë, për t’u rikthyer sërish.
Gjithsesi, statusi i ri i PD-së nuk parashikon në asnjë pikë të tij, asnjë përgjegjësi për kryetarin në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare. Prej 4 vitesh, zëra ndryshe në PD kanë kërkuar që të parashikohet në statut dorëheqja dhe largimi i kryetarit në rast humbje të zgjedhjeve parlamentare. Por, Lulzim Basha, përmes propozimeve të tij, është kujdesuar të fshijë çdo parashikim në statutin e ri të partisë sa i takon përgjegjësisë së tij në rast humbje të zgjedhjeve të ardhshme, por thjeshtë ka parashikuar dorëheqjen, me specifikuar asnjë arsye. Ndërkaq, nuk ka ndryshuar mënyra e shkarkimit të kryetarit. Kuvendi i PD-së shkarkon me shumicë votash kryetarin mbi bazën e një mocioni mosbesimi të miratuar nga më shumë se gjysma e të gjithë anëtarëve të Këshillit Kombëtar.
Ndryshimet tjera në statutin e PD-së konsistojnë në krijimin e organeve të reja dhe rritjen e numrit të anëtarëve të Kryesisë, me sa duket për të kënaqur me poste një numër sa më të madh bashkëpunëtorësh. Është shtuar Këshilli Koordinues i Qarkut, që drejtohet nga drejtuesi politik i qarkut, që emërohet nga kryetari i partisë. Ky Këshill do të merret me organizimin elektoral dhe aksionet politike në nivel qarku. Është parashikuar ngritje e departamenteve të të Këshillit Kombëtar, për këshillimi e Kryesisë së PD-së dhe kryetarit të PDSH. Gjithashtu, pjesë e Kryesisë së PD-së do të jenë edhe: kryetari i Këshillit Kombëtar, kryetari i Bordit Financiar, Kryetari i Komisionit Zgjedhor dhe Kryetarin e Komisionit të Apelimit, Integritetit dhe Etikës. Është vendosur si rregull që jo më pak se 30 % e anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar të jenë vajza dhe gra. Në këtë pikë, Basha duket se ka kopjuar rivalin e tij politik, Edi Rama.
Statusi i PD-së ishte:
Neni 51
Kryetari i Partisë
1. Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.
2. Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë në varësi të problematikave apo çështjeve specifike mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë apo të deleguar, të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, apo drejtimin e procesit të ngarkuar.
3. Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen nga Rregullorja e Brendshme e PDSH.
4. Kryetari i Partisë në përmbushje të funksioneve të tij dhe garantimit të mbarëvajtjes së punës në parti, nxjerr urdhra dhe udhëzime, në bazë dhe për zbatim të këtij Statuti, si dhe të vendimeve të organeve drejtuese të Partisë.
Statusi i PD-së bëhet:
Neni 46
Kryetari i Partisë
1. Kryetari i Partisë kryeson organet qendrore të Partisë dhe siguron zbatimin e vendimeve të tyre. Ai përfaqëson Partinë në të gjitha veprimtaritë publike e politike, të brendshme dhe ndërkombëtare.
2. Kryetari i Partisë zgjidhet me votim të të gjithë anëtarëve të PDSH, sipas parimit “Një anëtar, Një votë”. Modalitetet e procesit përcaktohen në aktet nënstatutore.
3. Kryetari i Partisë ndihmohet nga Nënkryetarët dhe Sekretari i Përgjithshëm. Kryetari i Partisë në varësi të problematikave apo çështjeve specifike mund të ngrejë struktura ndihmëse apo të caktojë koordinatorë apo të deleguar, të cilat merren me shqyrtimin dhe zgjidhjen e tyre, apo drejtimin e procesit të ngarkuar.
4. Kryetari i Partisë gjatë veprimtarisë së tij të përditshme i cakton detyra dhe fusha të caktuara përgjegjësie Nënkryetarëve të Partisë. Në mungesë të zgjatur të kryetarit dhe me autorizim të tij, njëri prej tyre zëvendëson Kryetarin. Në mungesë të këtij autorizimi, duke përfshirë rastet e dorëheqjes nga detyra të Kryetarit, Sekretari i Përgjithshëm mbledh Këshillin Kombëtar, i cili komandon Nënkryetarin që do të drejtojë Partinë deri në rikthimin e Kryetarit në detyrë apo zgjedhjen e Kryetarit të ri.
5. Kryetari i Partisë në përmbushje të funksioneve të tij dhe garantimit të mbarëvajtjes së punës në parti, nxjerr urdhra dhe udhëzime, në bazë dhe për zbatim të këtij Statuti, si dhe të vendimeve të organeve drejtuese të Partisë.