Ka qenë fillimi i dhjetorit të vitit 1990, ende pa u shpallë i ashtuquajturi “Pluralizëm politik”, kur radio “Zëri i Amerikës”, fundin e një edicioni lajmesh ia kushtoi një figure krejtësisht të panjohur prej meje, por mendoj se edhe prej të tjerëve, një farë Martin Camaj.
Ishte koha kur radio “Zëri i Amerikës” ndiqej nga i madh e i vogël. Ndiqej nga ato që mezi po prisnin të binte komunizmi, nga ato që nuk donin që të binte komunizmi si dhe nga ato që dëshëronin të dinin paraprakisht sesi do të binte komunizmi.
Aso kohe unë sapo kisha filluar punë në Universitetin e Shkodrës, si pedagog i ri letërsie dhe gjendesha në rrjedha të ngjarjeve me mish e me shpirt.
Elez Biberaj foli bukur gjatë atë natë për këtë malësor shqiptar që na ishte jo vetëm linguist, shef I katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Mynihut, por ajo që më interesonte mua më së shumti, që edhe shkrimtar dhe posaqërisht poet. Në fund të emisionit u duk sikur zoti Biberaj e ngadalësoi kaq shumë të folurën sa edhe një fëmijë i klasës së parë mund ta merrte shënin adresën e këtij profesori të cuditshëm. Madje nuk gaboi të them se zoti Biberaj e tha dy herë adresën e Martinit, në fillim dhe në fund të emisionit. Unë që aso kohe nuk isha vetëm gjithë sy, por edhe gjithë veshë e shënova ekzaktësisht në një copë letër.
Meqënëse aso “Zëri i Amerikës” kishte nisur t’i ritransmetonte emisionet e mbasdites edhe në darkë, atëhere shënova gjithcka munda. Stacione të jetës së Martinit, tituj veprash e kështu me radhë. Fati e desh që sendet të lidheshin si të ishin copëza të një pazëlli të lumtur. Martini, sic e mora vesh atë natë, na paskësh studiuar në Beograd fill mbas aratisë. Po a nuk kishte studiuar në Beograd edhe kolegu im i vjetër, ai burri i shkurtë dhe i urtë, që gjendej në zyrën tjetër, në katedrën e gjuhësisë, profesori i gramatikës historike, autori i veprës madhore, “Marrëdhëniet e shqipes me gjuhët sllave”, Safet Hoxha?
Po. Profesori buzëqeshi kur i permenda emrin e Martinit dhe më solli të nesërmen dy libra të hollë “Një fyell ndër male” dhe “Kanga e vrrinit” që ai i kishte me dedikim nga vetë Martini. Profesor Safeti më foli gjatë e gjërë për të, për të dashurën e vet Nina Bogdanovic dhe i vuri pikën kur tha se ata të dy, Martini me zonjushën Bogdanovic qenë cifti më i bukur i gjithë universitetit të Beogradit.
U ngazëlleva pa masë dhe ashtu, i mbushur me entuziazmin e ngajrjeve të dhjetorit u ula të shkruaja një artikull me destinacion shtypn opozitar që sapo qe krijuar në Shqipëri.
Fillimisht i vura titullin artikullit “Martin Camaj - i gjalli, i vdekur”. Mandej provova të gjendesha midis dy tundimeve: ta botoja artikullin menjëherë, pra ta ndaja këtë lajm të gëzueshëm edhe te të tjerët për ekzistencën e një poeti që shkruante ndryshe apo t’ia nisja njërerë atij vetë që ta shikonte dhe mandej, mbasi që ai të binte dakord, ta botoja? Vendosa këtë të dytën. Diku mbas një muaji ia nisa artikullin bashkë me një letër, në të cilën i shpjegoja se kush isha dhe se pse kisha dëshirë të merresha me të. Ekzaktësisht dy muaj mbrapa më erdhi kjo letër, të cilën dua të ju lexoj pothuajse të gjithën, përvec një fragmenti në fund të saj, ku ai më lë një porosi përsonale dhe më porositi që kjo të mbetej midis nesh.
Po e citoj:
“Lenggries, 19.3.1991
I ndershmi zoti koleg,
Ju falenderoj për letrën tuej dt. 18.1.1991 dhe syzimin mbi vepren e jetën time. Me vend titulli! Këtu poshtë po marr lirinë t’ju vë në dijeni: Në kolegjin ksaverjan të Shkodrës, ashtë e vertetë qesh edukue, por filozofi e teologji nuk kam studie as në Shkodër, as ngjeti. Andaj besoj, tash për tash mjafton të thuhet se kam studiue në shkollë si sa e sa njerëz tanë e për këtë jam krenar e mirënjohës. Kam lindë në Temal me 1925 në një familje simbas gjendjes së asaj kohe në Malësi mjaft të ngjitun me pasuni rudimentale: në familje nuk na mungoi asgja e nevojshme. Për të dhana tjera krh.biografi të ndryshme në prospekte që po ju nis. Jam i martuem tash afer 25 vjet me një grue gjermane nga Mynihu (dr. med. interniste, fëmijë nuk kemi: për deri sa të jem gjallë, besoj, s’ashtë e domosdoshme të hyhet fort në sferën jetësore të ngushtë).
Jam gezue për letren e syzimin tuej sepse janë të parat sheje nga vendi i ngushte im në lidhje me veprën time. Nga Tirana e vende të tjera ka pasë pyetje dhe perpjekje kontakti qysh me kohë. Mjerisht, për arsye që dihen nuk kam reague. Me interesoi tematika me te cilen merreni. Na këndej e quejmë “shkolla letrare shkodrane” për të cilën u shkrue diçka në revistën “Shejzat” (Le Pleiadi) Romë 1957 – 1974 i së cilës isha kryeredaktor. Edhe unë i përkas kësaj shkolle, sadopak në fazën e parë të krijimtarisë sime (krh. Fazën kosovare). Ndonëse nuk e kam pasë zakon të shprehem mbi veprën time, sidomos me ata të degës së gjurmimeve letrare si jeni ju, megjithatë po ju rrëfehem disesi nga se dëshiroj të merreni me vepren time letrare edhe për arsye se une jam shumë i sëmurë. Kjo mes nesh sepse ka familje që kujtojnë me të vertete se nuk jetoj!
Kryekreje unë jam lirik, mjaft i vështirë – thonë, me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme dhe sigurisht nga shkaku sepse kam pasë kultura të ndryshme, sepse studiova së pari në Belgrad (jo italianistikë vetëm, por romanistikë, teorinë e letersisë, gjuhë klasike dhe slavistikë), një botë e re per ne të edukuem në Shkodër): me pat ba përshtypje simbolizmi rus, por jo letersia e sllaveve të Jugut, surrogat i romantizmit vendas me rrymat letrare përëndimore. Por studimet i kam sosë në këtë vend dhe jam largue andej ne veren 1956. Në Romë ku kam studiue edhe një herë dhe doktorue, jam sjellë në rrethet letrare të këtij qyteti (krh. Hymjen në vepren e fundit PALIMPSEST), ku jam njoftë dhe me autoret emigrantë nga vende të ndryshme lindore, rusë, rumunë, dhe sidomos me poetë Baltikë. Ishim të gjithë anëtarë të një PEN-klubi me ndeje në Londër.
Në 1961 (fillimi i vjetit) u transferova në Mynih, ku jam specializue definitivisht në linguistiken tonë mos m’u shkepute nga letërsia krijuese, nga lirika. Këtu mbeta tanë jeten deri më sot: njohja e gjuhëve të ndryshme shkaktoi dhe zgjanimin e mjeshtërisë, pasunim motivesh e shijesh etj. etj. Vonë kam ra në kontakt edhe me poezine moderne të gjuhës angleze, T.S. Eliot, p.sh, por askush nuk ka ndikue në liriken time ose prozen që mbeshtetet në ghuhen shqipe qe e njoh mjaft mirë në diakroni e sinkroni dhe si permbajtje i kanë rranjët në kulturën tonë, sidomos në mytin e trashëguem, mbete i gjallë (krh. Besimet popullore që janë miksime apo formula të një përvoje mitike).
Letërsia ime nuk është funksionale dmth nën ndikimin e ideologjive apo ideologjive të manipulueme nga njerëz fare injorantë: Nuk due të kem të njëjtin emërtim me kolegët letrarë të kohës sime: për ta due të jem një njeri e asgja tjeter. Si e shihni, nuk jam modest dhe e di se çka kam shkrue dhe nuk pendohem për asnjë varg të shkruem. Përpunoj fort vargun apo shprehjen e jam i dashunuem në gjuhën shqipe, si tingull, formë e shkrueme dhe kuptim shumë dimensionesh.
Këtu po ju mbyll pakëz bibliogarfi letrare. Me postë sendesh të shtypuna po ju nis dhe një bibliografi (jo të plotë), dalë nga një tezë doktorati që u mbrojt në Univ. të Kozencës; në këtë pako po ju nis 6 (gjashtë) vëllimet “varg librash letrare që nuk gjinden, sidomos si komplet, andaj mos i ndani: kështu nuk do të botohen kurrë ma, me këtë veshje tipografike.
Ju përshëndes përzemërsisht!
Martin Camaj
Letra arriti bashkë me plikon e librave, që padyshim ishte dhe është një nga dhuratat më të cmmueshme që kam marrë në jetë. Aso kohe unë kisha një mik të madh, edhe ai poet lapidar, shumë më i vjetër se unë dhe pakashumë bashkëmoshatar me Camajn, Zef Zorbën. Vrapova te ai dhe i lexova letrën. Librat i ndamë. Zorba mori fillimisht poezitë dhe mua më la prozën dhe të tjerat. Mbas dy ditësh ai erdhi dhe më solli dy librat me poezi “Njeriu më vete e me tjerë” dhe “Poezi”, duke më thënë: Asht nji poet i madh.
Por le të kthehemi te letra. Sic shihet letra është shumë intense, e ngjeshur, e thukës dhe me shestime esenciale. Tani, mbas rreth 30 vjetëve, mmundem me nxjerrë si me piskërr disa citate esenciale prej kësaj letre dhe po përpiqem t’i komentoj: “tash për tash mjafton të thuhet se kam studiue në shkollë si sa e sa njerëz tanë e për këtë jam krenar e mirënjohës”
“për deri sa të jem gjallë, besoj, s’ashtë e domosdoshme të hyhet fort në sferën jetësore të ngushtë”.
“Me interesoi tematika me te cilen merreni. Na këndej e quejmë “shkolla letrare shkodrane”. Edhe unë i përkas kësaj shkolle, sadopak në fazën e parë të krijimtarisë sime (krh. Fazën kosovare)”.
“dëshiroj të merreni me vepren time letrare edhe për arsye se une jam shumë i sëmurë”
“Kryekreje unë jam lirik, mjaft i vështirë – thonë, me forma e përmbajtje moderne, me faza të ndryshme dhe sigurisht nga shkaku sepse kam pasë kultura të ndryshme”
“me pat ba përshtypje simbolizmi rus, por jo letersia e sllaveve të Jugut, surrogat i romantizmit vendas me rrymat letrare përëndimore”.
“njohja e gjuhëve të ndryshme shkaktoi dhe zgjanimin e mjeshtërisë, pasunim motivesh e shijesh etj. etj. Vonë kam ra në kontakt edhe me poezine moderne të gjuhës angleze, T.S. Eliot, p.sh, por askush nuk ka ndikue në liriken time.”
“Letërsia ime nuk është funksionale dmth nën ndikimin e ideologjive apo ideologjive të manipulueme nga njerëz fare injorantë”
“jam i dashunuem në gjuhën shqipe, si tingull, formë e shkrueme dhe kuptim shumë dimensionesh.”
Besoj se cdonjëra prej këtyre tezave të shkëputura nga letra munden me qenë argumente studimesh të vecanta.
Stefan Çapaliku
Tiranë, 28 qershor 2022