Ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është paraqitur në SPAK si çdo të premte në zbatim të masës së sigurisë detyrim paraqitje për çështjen e koncesionit të sterilizimit.
Para mediave ish ministri tha se oficeri i BKH i ka konfirmuar që të martën e ardhshme do t'i kthejnë hard diskun e kompjuterit që i kanë sekuestruar gjatë kontrolleve në banesën e tij për shkak të hetimit për tenderin por edhe për abuzime të dyshuara në menaxhimin e fondeve të Agjencisë Shtetërore të Programin Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës nga BE ku ka dalë edhe emri i Ermal Kurtulajt.
"Dihet çdo të premte unë jam këtu në zbatim të masës detyrim paraqitje. Hetuesi më komunikoi që hardiskun me të dhënat e laptopit do të vij t'i marr të martën", tha Beqaj raporton gazetarja e Report Tv Keti Banushi.
Në nëntor 2023 me kërkesë të SPAK gjykata caktoi masën detyrim paraqitje për ish-ministrin për akuzën shpërdorim detyre. Hetimi bën fjalë për shkeljet e pretenduara nga SPAK, në koncesionin e sterilizimit me vlerë 100 milionë euro dhe afat 10-vjeçar, të fituar nga biznesmeni Ilir Rrapaj tashmë i arrestuar bashkë me ish-zv.ministrin e Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj.
Ndërsa po zbaton masën e caktuar nga GJKKO për këtë çështje, një hetim paralel ka nisur për të për dyshime që lidhen me fondet e huaja, të koordinuara nga SASPAC, Agjencisë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, ku Beqaj ishte drejtor. SPAK ka dyshime për korrupsion dhe shpërdorim detyre të Beqajt, por nuk ka të regjistruar një procedim, ndërkohë që ndaj tij është ushtruar kontroll banese dhe janë sekuestruar telefoni, kompjuteri dhe dokumente të tjera. Kontrolle janë ushtruar edhe në banesat e 5 anëtarëve të tjerë të SASPAC.