Kronikë

SPAK kërkon 36 vite e 6 muaj burg për 8 të pandehurit e 'Sterilizimit'! Nga 10 vite burg për Rjepajn dhe Rrapajn! Gjykimi për Beqajn i ndarë

25 Qershor, 13:23| Përditesimi: 25 Qershor, 18:15

  • Share

TIRANË- SPAK kërkon 36 vite e 6 muaj burg për 8 të pandehurit e dosjes “Sterilizimi”. Për dy kryesorët sipas prokurorisë së posaçme, ish.zv ministrin e Shëndetësisë Klodian Rjepaj, dhe biznesmenin që fitoi tenderin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore në shtet, Ilir Rrapaj, SPAK kërkoi dënimin me 10 vite burg për secilin. Nga Gjykimi i shkurtuar, të dyve u ulet 1/3-a dhe në rast se shpallen fajtorë nga gjykata e Posaçme, do të dënohen me 6 vite e 8 muaj burg.

Vartësi i Ilir Beqajt akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe falsifikim të dokumenteve, ndërsa biznesmeni vlonjat, për vjedhje dhe grup të strukturuar kriminal.

Zyrtarët e tjerë të Ministrisë së Shëndetësisë të cilët kanë qenë anëtarë të Komisionit të tenderit të sterilizimit akuzohen për shpërdorim të detyrës dhe falsifikim të dokumenteve. Për ta, SPAK kërkoi dënime më të zbutura.

Për, Marsela Serjani drejtoreshë juridike dhe Saimir Kadiu, drejtor ekonomik në ministri, Prokuroria e Posaçme kërkoi 3 vite e 6 muaj burg, që zbriten në 2 vite e 4 muaj për secilin.

Ndërkohë për 4 të pandehur të tjerë, dënimi me burg i kërkuar nga SPAK, pezullohet në shërbim prove. Mes tyre është edhe rektori i Universitetit të Mjekësisë, mjeku Arben Gjata, për të cilin SPAK kërkoi 2 vite burg, që nga gjykimi i shkurtuar zbret në 1 vit e 4 muaj, e që konvertohet në 3 vite shërbim prove në rast se do të dënohet nga gjykata e posaçme.

Në datën 9 korrik pritet të mbahet seanca e radhës për t'u dhënë konkluzionet e mbrojtjes, dhe më pas vendimi nga togat e zeza

Paralelisht vijon gjyqi për ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqaj, i cili nuk ka pranuar gjykim të shkartuar, dhe njëjtë si kolegu i tij Rjepaj akuzohet për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në kuadër të grupit të strukturuar kriminal. Ai nuk ka pranuar gjykimin e shkurtuar.

Fillimisht prokurorët Edvin Kondili e Ened Nakuçi e akuzuan dhe kërkuan gjykimin e Beqajt për shpërdorim detyre të kryer në bashkëpunim; ish-zv/ministrin Rrjepaj për mashtrim, falsifikim dokumentesh dhe shpërdorim detyre; biznesmenin Ilir Rrapaj për mashtrim, ndërsa gjashtë të pandehurit e tjerë u akuzuan për falsifikim të dokumenteve dhe shpërdorim detyre.  Por ne seancën paraprake  gjyqtarja Flojera Davidhi u sugjeroi prokurorëve që të ndryshonin akuzat për Beqajn, Rrjepajn dhe Rrapajn.

 Ilir Beqaj u zgjodh ministër i Shëndetësisë në kabinetin e parë të kryeministrit Edi Rama dhe gjatë drejtimit të tij në vitet 2013-2017

Pretenca e SPAK
Klodian Rjepaj 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 6 vite e 8 muaj burg
Ilir Rrapaj 10 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 6 vite e 8 muaj burg
Marsela Serjani 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj
Samir Kadiu 3 vite e 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj
Petraq Mersini 3 vite 6 muaj burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 2 vite e 4 muaj. Konvertohet 4 vite shërbim prove
Arben Gjata 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 3 vite shërbim prove
Genci Byrazeri 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 2 vite shërbim prove
Naile Ajazi 2 vite burg, nga gjykimi i shkurtuar i zbret në 1 vit e 4 muaj. Konvertohet 2 vite shërbim prove
SI.E./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?