Kronikë

Stërvitja ‘Defender Europe 2025’, faza e dytë nis më 26 maj, Shqipëria pjesë e demonstrimit me 7 shtete të tjera! Lilo: Për herë të parë me dronë

24 Maj, 18:06| Përditesimi: 24 Maj, 21:01

  • Share

Për dy javë, duke nisur nga 26 maji, stërvitja më e madhe ushtarake “Defender Europe 2025”, do të shtrihet, në fazën e dytë të saj, në 8 shtete të Ballkanit dhe Europës Juglindore.

Drejtori i Shtabit të përgjithshëm të ushtrisë shqiptare, Ardian Lilo, tregon për Report Tv se, synimi është demonstrimi i aftësive dhe angazhimi i Nato-s në mbrojtjen kolektive. Për herë të parë Shqipëria do të angazhojë dhe dronët e saj.

“Defender Europe 2025”, është demonstrimi më i madh ushtarak në Europë, i udhëhequr nga trupat amerikane, e ku përfshihen anëtarë të Nato-s dhe vende partnere. E ndarë në tre faza, stërvitja, e cila ka nisur në pjesën veriore të kontinentit, më 11 maj, do të përfshijë afro 28 mijë trupa nga 39 vende. Operacionet do të shtrihen në territorin e 16 shteteve dhe në to, do të angazhohen njësi të shumta ushtarake nga deti, toka dhe ajri.

Ardian Lilo, drejtor, Shtabi i Përgjithshëm FA, tha:

“Synimin e saj e ka për të demonstruar aftësitë dhe angazhimin e NATO-s në mbrojtjen kolektive dhe për të rritur gatishmërinë dhe ndërveprueshmërinë mes vendeve aleate”.

Ballkani dhe Europa juglindore do të jenë pjesë e skenarit të stërvitjes, në fazën e dytë, “Immediate Response”, (Përgjigje e shpejtë). Kjo fazë përfshin mbledhjen e rreth 12 mijë trupave për të demonstruar aftësitë e sigurisë dhe përforcuar mbrojtjen kibernetike, në Shqipëri, Bullgari, Kroaci, Greqi, Kosovë, Mali të Zi, Maqedoni të Veriut dhe Sllovaki.

“Shqipëria do të jetë “host”, do të mirëpresë jo vetëm stërvitjen, por do të ketë edhe një nga brigadat shumëkombëshe. Stërvitja do të fillojë në datën 26 dhe do të vazhdojë deri në datën 9 qershor 2025. Do të ketë angazhim të trupave, një pjesë e të cilave do të vijnë nga përtej oqeanit, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pjesa tjetër nga vendet aleate”, u shpreh Lilo.

Për herë të parë Shqipëria, sipas gjeneral brigade Ardian Lilo, do të ketë kapacitete dronësh në stërvitje.

“Shqipëria do të jetë e angazhuar me forca tokësore, forca speciale, me kapacitete xheniere, do të jetë e angazhuar për herë të parë këtë vit me kapacitete dronësh, me helikopterë dhe njëkohësisht do të ketë edhe një kapacitet detar, i cili do të jetë në koordinim dhe ne do ta mbështesim me kapacitetet ajrore”, vijoi ai.

Një përgjigje e shpejtë ndaj një rreziku është prova kryesore. Dislokimi i trupave në vende të tjerë, përtej atyre ku janë zakonisht shihet si provë shpejtësie.

“E para do të jetë dislokimi i shpejt i trupave. Trupat amerikane do të vijnë në Europë. E dyta do të jetë trupa tonë, do të jenë nga vendi i dislokimit të përhershëm që do të jetë Zall Herri psh., do të kemi 2 vende dislokimi, Bizën dhe Babanë e Bokës në Kosovë”, shpjegoi Lilo.

Në fund të stërvitjes, Forcat e Armatosura shqiptare, por edhe aleatët nxjerrin përfundimet, ngërçet dhe problematikat që synohen të përmirësohen.

“Për të rritur ndërveprueshmërinë dhe për të testuar se si i kemi procedurat, si i kemi kapacitetet, për të identifikuar ndonjë boshllëk që mund të ekzistojë dhe nëpërmjet stërvitjes identifikohet boshllëku dhe gjendet mënyra për ta tejkaluar, qoftë në procedura, qoftë në kapacitete dhe pajisje”, tha drejtori i FA.

Në një kohë kërcënimesh reale në kufirin lindor të Nato-s, mesazhi kryesor i stërvitjes, ndaj kundërshtarëve potencialë, është se Aleanca është e bashkuar, e gatshme dhe e aftë për të mbrojtur çdo pjesë të territorit të saj.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Berisha kërkon anulim të zgjedhjeve, si ju duket?