Një operacion i simuluar u zhvillua këtë të enjte rreth 6 milje larg Portit të Durrësit, ku morën pjesë forcat detare shqiptare dhe aleatet, në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare "Defender Europe 25".
Tre anije të Flotës Detare Shqiptare, Lissus, Oriku dhe Semani, dy anije të marinës amerikane si dhe dy helikopterë Cougar të Forcave Ajrore u angazhuan në këtë skenar (ushtrim) që teston reagimin ndaj kërcënimeve te mundshme.
Për herë të parë, Shqipëria ka aktivizuar dronët e saj ushtarakë për mbikëqyrjen e operacionit, të cilët siguruan pamje në kohë reale për Komandën e Brigadës në Zall-Herr.
“Stërvitja do të zgjasë deri më 9 qershor dhe synon të rrisë gatishmërinë operacionale të përbashkët, ndërveprimin mes forcave dhe aftësinë për të reaguar ndaj kërcënimeve në përputhje me Nenin 5 të Traktatit të NATO-s për mbrojtjen kolektive”, tha Adnan Agastra, Kundëradmiral, Komandant i Forcës Detare.
Stërvitja është pjesë e fazës së dytë të "Defender Europe 25", e cila po zhvillohet në tetë shtete të Ballkanit dhe Europës Juglindore. Përveç Shqipërisë, një tjetër pikë kyçe e këtij operacioni është Kosova, ku fokusi do të jetë mbrojtja e infrastrukturës kritike, sigurimi i pikave të imbarkimit dhe menaxhimi i logjistikës së avancuar.
“Kjo stërvitje përbën një demonstrim të qartë të bashkëpunimit të ngushtë me aleatët dhe të rolit gjithnjë e më të rëndësishëm të Shqipërisë në arkitekturën e sigurisë rajonale”, shtoi Agastra.
"Defender Europe 2025" është ndër stërvitjet më të mëdha ushtarake në Europë, e udhëhequr nga forcat amerikane dhe me pjesëmarrjen e 28 mijë trupave nga 39 vende. Operacionet shtrihen në 16 shtete dhe përfshijnë njësi nga toka, ajri dhe deti, me synimin për të garantuar mbrojtjen dhe sigurinë kolektive në rajon.
Komente
