Nensi Dojaka, një stiliste 28-vjeçare shqiptare, e njohur për veshjet e saj të veçanta, ka fituar çmimin prestigjioz të Fondacionit Louis Vuitton për stilistët e rinj, që është çmimi më prestigjioz i industrisë së modës.
Ceremonia u zhvillua në Paris, ndërsa Dojaka, e cila triumfoi mes 9 finalistëve, do të marrë 300 mijë euro. 28-vjeçarja e diplomuar në Central Saint Martins, punon në Londër, ndërsa 'kliente' të rregullta të saj janë edhe modele të famshme si Bella Hadid, Emily Ratajkowsi dhe Kaia Greber.
Në fillim të këtij viti, një model i saj, një fustan i zi i shkurtër, u rendit mes produkteve më të shitur të 2021, sëbashku me modele nga marka të njohura si Prada dhe Hermes. Ajo do të shfaqë koleksionin e saj të katërt në pasarelë në Javën e Modës në Londër këtë muaj.
Juria që e përzgjodhën atë s fituese të çmimit prestigjioz, u impresionuan nga cilësia e lartë e punës dhe këndvështrimi i 28-vjeçares. Për këtë triumf të të resë shqiptare ka reaguar edhe kryeministri Edi Rama, i cili shkruan në Facebook: "Nensi Dojaka fituese e çmimit prestigjioz të Fondacionit Louis Vuitton për stilistët e rinj! Çfarë talenti! Çfarë krenarie".