Stilistja amerikane u mëson të rinjve ‘truket’ si të riciklojnë veshjet e vjetra: Është sfidë, por edhe edukuese

23 Tetor, 14:46| Përditesimi: 24 Tetor, 07:55

  • Share

Promovon modën e qëndrueshme dhe u tregon njerëzve rëndësinë e përdorimit të materialeve dhe produkteve të riciklueshme.

Stilistja amerikane Noor Bchara, në një workshop me adoleshentë dhe të rinj, në kuadër të Javës Amerikane të Kulturës u mësoi atyre se si të shndërrojnë rrobat e vjetra-si bluzat apo xhaketat në veshje të reja dhe me stil që do t’i duan sërish.

“Arsyeja pse fillova të bëj diçka të tillë është t’u tregoj njerëzve rëndësinë e përdorimit të materialeve dhe produkteve që tashmë ekzistojnë, më tepër se sa të krijojnë të reja. T’u tregoj njerëzve që vërtet është e mundur dhe vërtet edukon qasjen e tyre ndaj atyre që shpesh i konsiderojmë mbetje.”

Stilistja shpjegon se koleksionet e saj zakonisht vijnë nga materiale xhins të përdorura dhe me të cilat rikrijon veshje.

“Një tjetër gjë që bëj sa herë prodhojmë produkte të reja është të ruajmë gjithçka që mbetet dhe t’i dizenjojmë. Një prej tyre është edhe xhaketa që kam veshur. Veshjet që krijojmë mund të duken të ngjashme, por janë të gjitha të ndryshme dhe unike. Është padiskutim një sfidë, por gjithashtu edhe argëtuese. Mendoj se kreativiteti i vërtetë dhe krijimi i gjërave të reja vjen nga të paturit disa kufizime apo gjëra që i cilësojmë “të papërdorshme” apo disa lloje problemesh, që përpiqemi t’i zgjidhim.”

Nën udhëheqjen e stilistes Noor Bchara, të rinjtë zbuluan teknika argëtuese si shtimi i arnave, qepja dhe vendosja e rruazave për t’i bërë rrobat unike dhe në modë, ndërkohë që të pranishmit kishin sjellë edhe veshje të tyre për t’i personalizuar!

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?