TIRANË- Edmond Stojku është i mendimin se shkarkimi i presidentit Ilir Meta nga Parlamenti, edhe nëse Gjykata Kushtetuese thotë “jo”, është një fitore e madhe për mazhorancës.
“A do e dekretojë Meta parlamentin e ri të dalë nga 25 prilli? Jam 50 me 50 se nuk është e thënë që Gjykata Kushtetuese, nëse parlamenti voton pro largimit të presidentit nga Presidenca. Nëse GJK thotë jo, nuk largohet nga presidenca, por zhvishet moralisht nga kostumet që i gëzon gjer me tani, dhe kjo do ishte një fitore shumë e madhe nga mazhoranca, kjo do ishte një arritje e madhe e mazhorancës nëse do e shkarkonte vetëm parlamenti edhe pse jo Gjykata Kushtetuese”, tha Stojku.
I ftuar në “Studio Live” në Report Tv, si anëtar i Komisionit Hetimor për shkarkimin e Metës, Stojku theksoi se nuk do ishte aspak e moralshme sjellja e tij me forcë, pas disa refuzimeve të njëpasnjëshme. Megjithatë, ai tha se nuk ishte aspak dakord me qëndrimin e kreut të shtetit, që e cilëson si Komisionin si “anti-kushtetues”.
“Këtu kemi të bëjmë me një shaka pa kripë se as parlamentin Meta nuk e njeh njëkohësisht, quan legjitim Komisionin Hetimor. Kur më të vërtetë shumicën e dekreteve i ka kthyer dhe disa i ka pranuar. Marrëveshje e 5 qershorit, për shembull. Ku qëndron paligjshmëria, nesër të njoh një ditë tjetër jo, mos ka të bëjë kjo me kohën, kur është shi nuk të njoh, kur është diell jo. Nuk mund ta legjitimosh, mos pjesëmarrja atë e ngarkon me më tepër faj, si moral, politik dhe jo ligjor”, shtoi ai.
Aspak dakord është edhe me qëndrimet që Meta ka mbajtur edhe për vendimin e SHBA-së për shpalljen “Non grata” të Sali Berishës dhe familjes së tij, duke e quajtur si “të pabesë”.
“Nuk e përkrah fare qëndrimin e Presidenti dhe ish presidenti, mirënjohjen duhet ta shprehim në çdo kohë dhe rrethanë edhe kur na cenohet interesat tona”, deklaroi Stojku në Report Tv.
Në fund, ai tha se i vjen keq që nuk do të jetë në parlamentin e ardhshëm.
“Më vjen keq, do doja të isha pjesë se fitova një eksperiencë që nuk e kisha, do jepja më të mirën dhe ajo që vlen të përmendet është që te vijë dita që në këtë vend të ketë zgjedhje të lira dhe të ndershme, pa terror, pa pagesë pa indikacione të tjera që në një mënyrë apo tjetër prishin frymën reale të popullatës”, përfundoi Stojku.