Skuadrat e Superligës shqiptare të futbollit janë në përgatitje të javës së tetë. Kur skuadrat kanë zhvilluar shtatë ose më pak ndeshje, kjo për shkak të shtyrjes së disa dueleve, janë katër klube që kanë ndërruar të paktën një herë trajnerin.
I fundit ishte largimi i Orges Shehit, që u pezullua nga Tirana për shkak të rezultateve të dobëta. Nëse kthehemi pas me disa javë, qysh pas raundit të parë, Stavri Nica u shkarkua nga Laçi. Më pas kurbinasit emëruan në stol Skerdi Bejzaden, që qëndroi për gjashtë javë në krye të Laçit. Pas tij bardhezinjtë rikthyen në stol një emër si Mirel Josa.
Teuta e nisi me Diego Longon në stol, teksa me vetëm katër ndeshje të drejtuara italiani la pankinën i shkarkuar dhe në vend të tij u rikthye trajneri i emergjencave, Edi Martini.
Edhe Kukësi ka pësuar lëvizje në stol. Rraman Hallaçi u largua pas raundit të dytë dhe në vend të tij u emërua Stavri Nica, që më parë ishte larguar nga Laçi.
Duket se stolat e klubeve të Superligës në Shqipëri janë të "minuar", me trajnerët që punojnë nën presionin e lagimit dhe me "valixhet gati".
Lëvizjet në stolat e Superligës:
Laçi - Stavri Nica, Skerdi Bejzade, Mirel Josa
Tirana - Orges Shehi, (aktualisht pa trajner zyrtar)
Teuta - Diego Longo, Edi Martini
Kukësi - Rraman Hallaçi, Stavri Nica