Që prej datës 12 mars klinikat dentare qëndrojnë të mbyllura ndërsa me dhjetëra telefonata nga pacientë të ndryshëm kërkojnë ndihmë.
Ndonëse vëmendja kryesore e sektorit të shëndetësisë ka qenë te koronavirusi, nuk kanë munguar edhe shqetësimet e tjera, si për shembull problemet me dhëmbët.
Stomatologu Gjergji Dilo në një lidhje skype për emisionin ’Repolitix’, sqaroi protokollet që duhet të ndjekin klinikat dentare, postpandemi, nëse sikundër pretendohet do të ketë një hapje graduale për urgjencat më 4 maj. Për stomatologun Dilo duket denigruese fakti që nuk mund t’u shërbejnë pacientëve në vijën e parë të frontit, sikundër shërbejnë të gjithë bluzat e bardha në këto kohë pandemie.
"Në këndvështrimin tim është pak denigruese për sa i përket dentistëve pasi nuk janë trajtuar si mjek, ndërkohë që ne kemi bërë betimin e hipokratit dhe mund të shërbenim këtë kohë. Besoj së është pak e nxituar mbyllja e klinikave në njërën krah, se problemi kryesor është afërsia me pacientin por këtë gjë mund ta kenë edhe mjekët e infektivit dhe nga krahu tjetër është forma e shpërndarjes në ajër më anë të tubinave që punojmë", theksoi stomatologu Dilo.
Po cili mund të jetë protokolli postpandemi, që duhet të ndiqet nga klinikat dentare, nëse sikundër pretendohet do të hapen gradualisht në 4 maJ? Çfarë ka më shumë rëndësi?
"Urdhëri i Stomatologut pretendon që në 4 maj të nisim avash-avash vetëm me urgjencat. Protokollet tona janë pak më strikte dhe ndryshe. Presim ende përgjigjen e ministrisë për vendim zyrtar. Nevojitet një aspirator shumë afër pacientit, që t’i japim maksimumin e sigurisë, se dihet që nëse virusi mbetet në ajër, duhet të dezinfektohet me anë të një dezinfektuesi tjetër që hidhet në ajër", tha stomatologu Dilo.