Kapsllëku kronik është një problem mjaft i zakonshëm tek të moshuarit dhe ndikon ndjeshëm në cilësinë e jetës së tyre. Ulja e aktivitetit fizik, ushqimi i varfër në fibra, përdorimi i barnave për një kohë të gjatë dhe shumë shkaqe të tjera sjellin shpesh këtë problematikë tek të moshuarit. Por si mund të menaxhohet ky shqetësim, i cili mund të sjellë dhe problematika të tjera shëndetësore nëse nuk trajtohet, cilat janë bimët më të mira që na ka falur natyra dhe si mund të përdoren për të rregulluar cilësinë e jetës së çdo të moshuari, flasim në "Bima dhe Shëndeti" në studion e "Rreze Dielli" në Report Tv me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja.
“Kostipacioni kronik tek të moshuarit është një nga problematikat më të hasura. Rreth 20 % e moshës së tretë sforcohen për të nxjerrë jashtëqitjen. Kur zorra e trashë defekon 3-4 herë në javë, mund të themi që ka nisur problematika e kostipacionit, që në gjuhën popullore njihet si kapsllëku”, thekson Merja.
Shkaqet e kostipacionit, sipas specialistit të bimëve mjekësore Ylli Merja janë:
- Dieta e varfër në fibra (më pak se 30 gr në ditë)
- Mungesa e aktivitetit fizik (më pak se 5 herë në javë nga 30-40 minuta)
- Medikamentet farmaceutike që prishin florën e mirë bakteriale
- Sëmundjet e ndryshme neurologjike, sëmundja e zorrës së trashë, dëmtimet e shtyllës kurrizore, diabeti, uricemia, etj
- Abuzimi me laksativët, sidomos sena
- Injorimi i nevojave urgjente për defekim
- Parazitët në zorrë
- Dehidratimi, përdorimi i pakët i ujit
- Sindromi i zorrës dembele
- Çrregullimi i zorrëve, sëmundja crohn, sindromi i zorrës së irrituar
“Të moshuarit nuk duhet të konsumojnë shumë produkte shtazore që duan kohë të treten dhe asnjëherë nuk duhet kombinuar mishi dhe djathi bashkë, pasi janë dy produkte të forta proteinike”, këshillon Merja.
Kapsllëku nuk duhet neglizhuar, sidomos tek mosha e tretë, pasi jo vetëm ndikon shumë në cilësinë e jetës së tyre, por bëhet shkak dhe për problematika të tjera shëndetësore. Trajtimi alternativ është shumë efikas dhe mund të ndiqet shumë lehtë, tregon Merja.
“Pihet në mëngjes 200 ml ujë të ngrohtë me një lugë supe fara liri të shtypura dhe një lugë fara chia. Gota e ujit përgatitet disa minuta përpara se të konsumohet në mënyrë që të çlirohen të gjitha vlerat dhe përbërësit kimik. Pas 20 minutave konsumohet mëngjesi me një pjatë kos me 2-3 lugë supe tërshërë ose muesli. Gjatë ditës konsumohen 1-2 kivi ose 3-4 kumbulla dhe në darkë para buke pihet një gotë me çaj drunakuqi”.
Një variant tjetër mund të jetë nisja e ditës me një gotë ujë të ngrohtë me një lugë supe fara liri të shtypura ose chia. Në mëngjes konsumohet muesli me 1 lugë çaji shegë të egër dhe 1 kivi, ndërsa gjatë ditës pihet çaj laksimer 2-3 gota. Një tjetër variant është mëngjesi me 1 gotë ujë të ngrohtë më fara liri të shtypura, pas gotës së ujit pihet 1 lugë çaji vaj recini dhe konsumohen pak muesli për mëngjes. Finoku ose farat e finokut janë gjithashtu ndihmuese për problemet e jashtëqitjes.
Komente
