Ekonomi

Strategjia/ Borxh në tregun e brendshëm, më pak në valutë, për herë të parë do të ketë obligacione vetëm për individë

27 Shtator, 20:35| Përditesimi: 27 Shtator, 20:49

  • Share

Ministria e Financave ka hedhur për konsultim Publik strategjinë e re të menaxhimit të borxhit publik për periudhën 2025-2029, e cila synim parësor ka tkurrjen e mëtejshme të borxhit, uljen e kostove, (nga interesat, kursi i këmbimit etj), si dhe të ndihmojë në zhvillimin e mëtejshëm të tregut të titujve shtetëror.

Prioritet thotë ministria do të jetë ulja e borxhit nga 54% aktualisht, për të arritur në 45% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, si dhe të ulet edhe më tej ekspozimi i vendit ndaj valutës së huaj, ku një ndër prioritetet e strategjisë është ulja e borxhit në euro apo dollarë.

Sipas të dhënave të ministrisë në fund të qershorit borxhi i jashtëm, pra në monedhë të huaj ishte sa 43.3% e totalit të borxhit që ka vendi, ndërsa 56.7% ishte në monedhën vendase. Ekspozimi i vendit ndaj borxhit të huaj ka disa rreziqe ku më kryesore është goditja që mund të vijë nga kursi i këmbimit në rast forcimi të monedhave, euro apo dollarë.

Një tjetër objektiv i parashikuar në strategji është edhe fokusimi kryesor për huamarrje për të përmbushur detyrimet e qeverisë në tregun e brendshëm e kryesisht sektori bankar.

“Tregu i brendshëm do të vazhdojë të mbetet burimi kryesor i financimit, i cili do të mbulojë pjesën më të madhe të nevojave të qeverisjes qendrore për hua. Instrumentet kryesore që do të përdoren për sigurimin e financimit janë titujt shtetërorë. Burimet e brendshme të financimit do të vazhdojnë të mbështeten kryesisht tek sektori bankar, ndërkohë që ka pritshmëri pozitive për rritjen e aktivitetit në tregun e titujve shtetërorë nga institucionet jo-financiare, investitorët jo-rezident dhe individët”, thuhet në strategji.

Ndërsa sa i takon tregut të huaj, do të synohet emetimi i kredive të buta për projekte prioritare por edhe eurobonde për të mundësuar menaxhimin e detyrimeve të borxhit në valutë.

Për herë të parë në strategji janë parashikuar edhe ‘Obligacionet qeveritare për Individë”, që u japin mundësi qytetarëve të investojnë (blejnë) letrat me vlerë të qeverisë, dhe të fitojnë nga interesi i tyre, ose mund ti shesin në periudha kur vlera e këtyre ‘letrave’ është më e lartë.

“Ky instrument synon të rrisë përfshirjen e qytetarëve në financimin e borxhit shtetëror, të nxisë kulturën e kursimeve afatgjata dhe të përmirësojë qëndrueshmërinë fiskale nëpërmjet reduktimit të varësisë nga tregjet institucionale dhe financimi i huaj”, thuhet në dokument.

Pra këto do të jenë tituj të dedikuara për qytetarët, për të cilat do të ketë një normë interesi dhe afate të caktuara maturimi që nuk janë të specifikuara në strategji.

S.B/E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?