Sergey Lavrov

Bota

Strategjia e bombave të Rusisë dhe akuzat ndaj Europës: Përdor nazistët e Kievit si mur rrafshues! Merz dhe Macron kanë humbur arsyen

30 Qershor, 07:44| Përditesimi: 30 Qershor, 07:49

  • Share

"Mizat në njërën anë, qoftet në anën tjetër." Gjatë një bisede me gazetarët, të cilët po ndiqnin takimin e tij me homologun nga Kirgistani, ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov iu referua kësaj batute të vjetër – që rrjedh nga kohët e mensave sovjetike kur kushtet higjienike bënin të nevojshme ndarjen e këtyre dy përbërësve, për të përshkruar situatën aktuale ndërkombëtare.

Natyrisht, nuk ka asnjë dyshim se kë e konsideron Kremlini si “mizat” në këtë kontekst gjeopolitik. “Po përballemi me një ngërç të paparë më parë mes vendit tonë dhe Perëndimit, që ka vendosur sërish të nisë një luftë kundër nesh dhe të na shkaktojë një disfatë strategjike, duke përdorur në thelb regjimin nazist të Kievit si mur rrafshues”, deklaroi shefi i diplomacisë ruse. “Perëndimi nuk ia ka dalë kurrë më parë, nuk do t’ia dalë as kësaj here, dhe ndoshta po fillon ta kuptojë”.

Megjithëse termi i përgjithshëm për armikun është i njëjtë që prej tre vitesh e gjysmë, kufijtë e tij janë ngushtuar tashmë vetëm te Evropa, drejtuesit kryesorë të së cilës janë vënë në shënjestrën e Lavrovit dhe të mediave ruse. Duke komentuar një deklaratë të përbashkët të Emmanuel Macron dhe Friedrich Merz, ku Rusia cilësohet si “kërcënimi kryesor” dhe theksohet nevoja për t’i dhënë armë Europës, Lavrov tha se “këta personazhe kanë humbur përfundimisht arsyen dhe po përpiqen hapur të rikthehen në kohët kur Franca dhe Gjermania donin të pushtonin gjithë Evropën, në radhë të parë Perandorinë Ruse dhe Bashkimin Sovjetik”.

Edhe pse nuk ka pasur një rol të drejtpërdrejtë në negociatat e fundit dhe në dy samitet në Stamboll, të menaxhuara nga njerëzit e Kremlinit, deklaratat e Lavrovit prej kohësh konsiderohen si barometër i gjendjes shpirtërore në Rusi – e cila, pas 12 ditëve të luftës mes Iranit dhe Izraelit, duket se është përmirësuar. “Jemi të hapur për një punë të ndershme drejt një zgjidhjeje të drejtë të krizës ukrainase”, theksoi Lavrov. “Por nuk jemi të gatshëm të marrim pjesë në intrigat në të cilat disa liderë evropianë na kanë detyruar të hyjmë”.

Këto deklarata janë në të njëjtën linjë me ato të zëdhënësit të Vladimir Putinit, sipas të cilit Rusia “nuk mund të detyrohet të negociojë me presion apo forcë”, por mund të rikthehet në tryezën e bisedimeve “vetëm me logjikë dhe argumente”.

Nata në Lindjen e Mesme kaloi pa pasoja të mëdha për Rusinë. Aleati iranian, sado i dëmtuar, qëndron ende në këmbë – dhe askush nuk mund ta akuzojë Putinin se e ka braktisur. Ndërsa për aleatin tjetër më të ri dhe më të rëndësishëm, nga SHBA-të vazhdojnë të vijnë sinjale relativisht qetësuese, aq sa në Moskë mendohet se njoftimi për sanksione të reja është thjesht një manovër imazhi. Vetë Sergei Naryshkin, drejtori i Shërbimeve të Inteligjencës së Jashtme, tregoi se kishte pasur një bisedë të gjatë dhe miqësore telefonike me kreun e CIA-s, John Ratcliffe, me të cilin kishte rënë dakord të kontaktoheshin sa herë të ishte nevoja “për të diskutuar çështje me interes”. Ndërkohë Yuri Ushakov, këshilltar i afërt i Kremlinit, tha se ndonëse nuk ka ende një plan konkret, një takim mes Putinit dhe Donald Trump mund të ndodhë “në çdo moment”.

Sa për sanksionet amerikane, nëse vërtet do të vihen, në Moskë ato shihen më shumë si një shfaqje teatrale, një akt formal për të mos prishur marrëdhëniet me Evropën – por jo diçka që do të ndërpresë një dialog që tashmë është në rrjedhë të mirë.

Progresi në fushën e betejës është minimal dhe ofensiva verore është bllokuar – të paktën sipas një analize të të dhënave të bërë nga gazeta britanike The Telegraph. Megjithatë, Rusia vazhdon të bombardojë qytetet ukrainase, më shumë për të treguar peshën dhe synimet e saj në arenën ndërkombëtare sesa për të demoralizuar armikun. Është si të thuash se për momentin horizonti i Rusisë është ngushtuar vetëm te Amerika – me një Trump që në politikën dhe mediat ruse është ngritur në piedestal. Të tjerët nuk ekzistojnë, veçse për të folur pa kuptim. “Kështu po jetojmë këto muaj”, shkruan editorialisti i njohur i krahut të ashpër, Dmitrij Popov. “Ata flasin marrëzira, ne jemi të mirë dhe të lehtë”./Corriere della Sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Nis gjyqi për aferën Partizani, a besoni se do ketë drejtësi?