Secili kërkon “prenë” e vet. Izraeli ndjek lëshuesit e raketave, ndërsa Irani kundërpërgjigjet me breshëri raketash, në një luftë gjithnjë e më intensive, me qindra të vrarë e të plagosur në të dyja palët.
Shtabi i përgjithshëm izraelit deklaron se ka liri veprimi në qiellin armik dhe synon ta shfrytëzojë këtë avantazh për të shkatërruar mjetet që mbajnë rampa lëshimi, një mision në një teatër operativ të largët. Kërkohen zbulime të vazhdueshme për të identifikuar objektivat, për të dalluar ato të vërteta nga mashtrimet. Armët me rreze të gjatë veprimi janë të vendosura shpeshherë brenda kamionëve, të mbuluara me çadra, ose në kontejnerë, në përpjekje për t’u paraqitur si “civilë”. E njëjta taktikë përdoret edhe për dronët-kamikazë, komponenti i dytë për sulmet në thellësi.
Qytete nëntokësore
Shumë sulme kanë pasur në shënjestër instalime raketore në Tabriz, Khermanshah dhe Ghadir. Gardianët e Revolucionit kanë ndërtuar një numër të madh prej tyre, përfshirë dy “qytete nëntokësore”: galeri të gjata që strehojnë dhjetëra mjete, pjesë e një programi të hartuar nga divizioni ajror, i drejtuar nga Amir Hajizadeh dhe bashkëpunëtorët e tij.
Ky oficer, megjithatë, u vra gjatë ofensivës izraelite dhe u zëvendësua nga zëvendësi i tij, gjenerali Sayed Mousavi, edhe ai veteran. E pret një detyrë e rëndë: të koordinojë luftën ndërsa ka humbur shumë komandantë – shtatë të tjerë të forcave ajrore janë eliminuar. I njëjti fat për mbi njëqind gjeneralë, përfshirë numrin një të Pasdaran, shefin e inteligjencës së gardianëve dhe zëvendësin e tij, si dhe shefin e shtabit të përgjithshëm.
Ekspertët nënvizojnë se Teherani, për momentin, ka ruajtur një aftësi për kundërpërgjigje. Raketat kanë shkaktuar shkatërrime, viktima, kanë detyruar civilët të strehohen në bunkerë dhe kanë çuar në mbylljen e aeroporteve, me dhjetëra mijëra izraelitë të bllokuar jashtë vendit.
Sisteme sulmi
Bilanci i përkohshëm është i rëndë edhe në krahun iranian, me qindra të vrarë. Vëzhguesit kanë përpunuar hipoteza mbi sistemet e sulmit të përdorura: Qiam 1, Fateh 110 dhe më i riu Haji Qasem, me rreze veprimi prej 1.500 kilometrash dhe me karburant të ngurtë që mundëson lëshim të shpejtë. Sa raketa kanë? Vlerësimet para konfliktit flisnin për rreth 2.000 njësi. Prej tyre, janë përdorur mbi 280 dhe disa kanë depërtuar mburojën izraelite, siç ndodhi natën e kaluar. Një detaj i rëndësishëm është zgjedhja e objektivave: deri më tani Irani është përqendruar në zonën qendrore të Izraelit, gjë që ka rritur gjasat për të kaluar mbrojtjen. Pyetja që lind është: sa gjatë mund të vazhdojnë kështu? Nuk përjashtohet që vlerësimet mbi rezervat të jenë të pasakta.
Gardianët mund të mbështeten edhe te dronët, por vetëm si mjet presioni dhe për të angazhuar mburojën e Tel Avivit, pasi këto dronë zakonisht (ose thuajse gjithmonë) neutralizohen dhe nuk kanë ngarkesë shpërthyese të krahasueshme me raketat (500 kg).
Zjarri mbi ministritë
Sipas disa informacioneve, Irani mund të prodhonte 50 raketa në muaj, një parashikim i bërë në kohë paqeje, jo në emergjencën aktuale. Izraeli ka shtrirë sulmet deri në Mashhad (2.300 km larg) dhe ka “hapur zjarrin” mbi ministritë (të Mbrojtjes, të Inteligjencës), si dhe mbi infrastrukturat, me qëllim që të dëmtojë funksionalitetin e shtetit dhe të rrisë pasigurinë mes popullsisë, e cila këshillohet të qëndrojë larg zonave ushtarake.
Planet bërthamore
AIEA ka konfirmuar dëme në sipërfaqe në qendrën kërkimore të Natanzit, në katër ndërtesa të kompleksit të Isfahanit dhe në disa site më të vegjël. Disa sulme kanë ndodhur edhe në perimetrin e Fordow, që është i mbrojtur brenda malit, shkatërrimi i tij mund të realizohet vetëm me ndihmën e SHBA. Sipas analistëve, pasojat mbi materialin teknologjik nuk janë ende katastrofike, por më serioze janë humbjet në fushën kërkimore: janë vrarë 14 shkencëtarë, disa me bomba në makina, profesorë të universiteteve që ishin të domosdoshëm për projektin. Ende mbetet për t’u vlerësuar ndikimi mbi fabrikat e sektorit strategjik, të goditura që nga nata e së premtes.
Froni i brendshëm: pesë autobomba
Përveç hakmarrjes, Irani duhet të shqetësohet edhe për mbrojtjen e brendshme. Autoritetet kanë vendosur kufizime për kamionçinat tregtare për shkak të frikës se mund të përdoren nga Mossadi si platforma për lëshimin e dronëve ose për transportimin e raketave anti-tank të tipit Spike. Agjentët izraelitë i kanë përdorur ato kundër lëshuesve, radarëve dhe baterive kundërajrore. Në rrjet janë publikuar foto të një mjeti me kason të ndarë në katrorë, vend i përshtatshëm për fshehjen e dronëve të vegjël, të importuar përmes dërgesave të zakonshme ku transportuesi nuk dinte përmbajtjen reale. Operacioni ka zgjatur me muaj. Për këtë arsye, alarmi për sabotime mbetet gjithmonë i lartë. Policia ka arrestuar disa persona me material shpërthyes, të cilët janë cilësuar si “pionë sionistë”, ndërsa të dielën në Teheran kanë shpërthyer pesë autobomba. Kush i vendosi? Dyshimet bien mbi bashkëpunëtorë të Mossadit, por edhe mbi grupe opozitare të gatshme të përfshihen për të ushqyer kaosin dhe për të kontribuar në “goditjen përfundimtare”./Corriere della Sera
Komente
