Shpërthim në rafinerinë Kirishi, Shën Petersburg

Bota

Strategjia e re e Kievit: Synimi i energjisë për të paralizuar Moskën (dhe ushtrinë e saj)

15 Shtator, 07:06| Përditesimi: 15 Shtator, 07:16

  • Share

Goditja e sistemit energjetik rus për të siguruar paqen është një zgjedhje e qartë strategjike afatgjatë e komandave ukrainase, e ndjekur në mënyrë gjithnjë e më sistematike, sidomos gjatë dy viteve të fundit. Kjo përkthehet në bombardimin e rafinerive, depozitave, gazsjellësve e naftësjellësve, si dhe hekurudhave që transportojnë karburantet e destinuara për eksport. Logjika që udhëheq sulmet e dronëve ukrainas, gjithnjë e më efikase, është e dukshme: dëmtimi i energjisë ruse do të thotë gjunjëzim i ekonomisë, heqje e fondeve jetike për ndërtimin dhe blerjen e armëve e municioneve të reja, paralizim i përpjekjes së saj ushtarake dhe, në fund të fundit, detyrimi i Putinit për të ndalur pushtimin për të negociuar një armëpushim apo edhe një traktat paqeje.

Bilanci ekonomik i Putinit është i thjeshtë. Në vitin 2020, dy vite para pushtimit të Ukrainës, sektori energjetik rus përfaqësonte gati 68 për qind të eksportit kombëtar, me një vlerë prej rreth 255 miliardë dollarësh në vit. Vetëm nafta e papërpunuar vlente 72 miliardë dollarë, ndërsa ajo e rafinuar dhe derivatet 45 miliardë. Në shtator 2025, mbi tre vjet e gjysmë nga fillimi i luftës, panorama ka ndryshuar: embargoja perëndimore ka kufizuar të ardhurat dhe sulmet ushtarake ukrainase po krijojnë probleme në kapacitetet prodhuese ruse. Sot Moska varet kryesisht nga eksportet drejt Kinës, Indisë dhe Turqisë. Për këtë vit parashikohet një ulje e ndjeshme e të ardhurave. Sipas të dhënave të bëra publike nga vetë ministria e ekonomisë së Moskës dhe të cituara nga Reuters, që në prill parashikohej një rënie me 15 për qind e vlerës së eksportit energjetik për këtë vit, trend i cili projektohet deri në vitin 2027. Për 2025 pritet të shiten rreth 200,3 miliardë dollarë naftë e gaz, kundrejt 235 miliardëve të realizuar në 2024.

Intensifikimi i sulmeve ukrainase po ndryshon situatën në terren. Sipas Maxim Bilyavsky, analist i Qendrës Razumkov në Kiev, që prej fillimit të vitit dronët ukrainas kanë goditur qendrat energjetike ruse të paktën 70 herë me operacione të mëdha. Më shumë se 45 për qind e sulmeve kanë qenë kundër rafinerive, 25 për qind ndaj depozitave dhe 10 për qind mbi infrastrukturat, përfshirë gazsjellës dhe naftësjellës. Rezultati është që në vetëm tetë muaj kapaciteti i rafinimit dhe transportit rus është ulur me të paktën 437 milionë tonë naftë bruto: një dëm që tejkalon shumë atë të viteve të shkuara. Sulmet kanë ndodhur edhe ndaj impianteve të vendosura deri në 1.800 kilometra larg territorit ukrainas. Dëmi kryesor është ekonomik: aktualisht Rusia po përballet me një ulje prej 10 për qind të eksportit të naftës krahasuar me një vit më parë. Vlera mujore e eksporteve të produkteve të naftës ka rënë nga 15 në 12 miliardë dollarë, që përllogaritet të përfaqësojë 4,1 për qind të PBB-së. Çmimi i benzinës në Rusi është rritur me 17 për qind dhe në rajonet kufitare regjistrohen shpesh mungesa karburanti. Bilyavsky nënvizon: "Nëse sulmet ukrainase do të vazhdojnë me të njëjtën intensitet si muajt e fundit, Rusia rrezikon mungesa sistemike të karburantit, kufizime serioze në kapacitetet e saj ushtarake dhe probleme të brendshme me popullsinë".

Zëdhënësit ushtarakë ukrainas raportuan 17 suksese të mëdha në gusht, falë dronëve të rinj të prodhuar nga industritë ushtarake të vendit, duke filluar nga rafineria Ryazan më 2 gusht deri në rafinerinë Kuibyshev më 28 gusht. Ivan Tymochko, komentator ushtarak dhe oficer i këmbësorisë së rezervistëve, ka shpjeguar për mediat lokale se sot trupat ruse në rajonin e pushtuar të Luganskut, në veri të Donbasit, janë pa benzinë. Sipas tij, komandat ruse po konfiskojnë karburant nga spitalet, furrat dhe shërbimet publike. Edhe vëzhguesit ndërkombëtarë konstatojnë se kapacitetet e rafinimit të naftës së papërpunuar në Rusi kanë rënë me përqindje që variojnë nga 17 deri në 25 për qind./Corriere della sera

Xh.D/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt ndiheni nga mashtrimet online?