Strategjia/ Të parët në skanerin e tatimeve për nëndeklarimin e pagave do jenë sektori i ndërtimit, turizmit, baret e restorantet dhe tregtia online

23 Shtator, 15:44| Përditesimi: 23 Shtator, 15:47

  • Share

Sektorët që deklarojnë pagat më të ulëta për punonjësit do të kalojnë të parët në filtrin e kontrolleve për të goditur nëndeklarimin e pagave apo punën në të zezë, ku punonjësit nuk deklarohen fare. Ndërtimi është një nga sektorët për të cilin administrata tatimore do të hartojë një plan me fokus kryesor rritjen e të ardhurave nga kjo industri sa i takon TVSH-së dhe tatimit mbi fitimin, por në vëmendje do të jetë edhe deklarimi i punonjësve dhe i pagave.

Aktualisht paga mesatare në sektorin e ndërtimit përllogaritet në 59.721 lekë, me rritje vetëm 1,354 lekë krahasuar me vjet. Po e njëjta strategji do të ndiqet edhe me sektorin e turizmit i cili aktualisht i ka pagat mesatare 60.682 lekë me rënie në raport me fundin e vitit 2023, por që është në rritje krahasuar me tremujorin e dytë të vitit të shkuar, kur paga mesatare në këtë sektor ishte 56.758 lekë. Pjesë e planit për këtë sektor do të jenë baret, restorantet, agroturizmet, bizneset e dhënies me qira të ambienteve e makinave si dhe fusha e transportit.

Sektori tjetër që ka edhe më shumë prezencë të informalitetit pasi është një aktivitet relativisht i ri është ai i tregtisë online.

“Vëmendja kryesore e këtij plani do të jetë, qarkullimi real i deklaruar nga tatimpaguesit që kryejnë këtë aktivitet me fokus tek TVSh-ja, por pa anashkaluar tatimin mbi fitimin dhe tatimin mbi të ardhurat e personave fizike, si dhe problematikat që kanë të bëjnë me deklarimin e punonjësve”, thuhet në strategjinë e financave.

Për të hetuar këtë sektor dhe xhiron e tyre, do të bëhen analiza për të gjithë kompanitë që operojnë në sektor, si dhe do të vlerësohen edhe informacionet që do të merren nga shoqëritë e transportit dhe klientëve e furnitorëve të produkteve do trajtohet gjithashtu. Paga mesatare e punonjësve të shitjeve dhe shpërndarjeve sipas INSTAT në fund të qershorit ishte 56.929 lekë.

Por në filtrin e administratës dhe inspektoratit do të jenë edhe sektorë të tjerë të tilla si fasoneria, industria ushqimore etj, të cilët edhe nga kontrollet aktuale kanë rezultuar me nëndeklarim pagash ose me punonjës të padeklaruar. Por, investigimet e Report TV, mbi këtë fenomen treguan se nëndeklarimi ka prekur edhe mediat, kompanitë e sigurimit dhe deri tek universitetet private.

Plani i punës i goditjes së fenomenit ku një pjesë e pagës deklarohet dhe pjesa tjetër jepet në dorë, do të bazohet në disa shtylla kryesore, ku hetimi do të përqendrohet tek pagat e ulëta për të vijuar deri tek biznesi që sipas analizave dyshohet për evazion. Jo vetëm kaq, pasi pjesë e kontrollit do të jenë edhe orët e punës, sa ditë në javë punohet si dhe deklarimi i saktë i profesionit të punonjësit.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • VereKuqe: 23/09/2024 17:16

    kur ministri i Financave i propozon qeverisë një projektligj si më poshtë, zgjidhen të gjitha problemet e përmendura këtu: (1) detyrimi për të pasur caktim të pavarur në bord mbi administratorët për shoqëritë me xhiro mbi 10 miliardë lekë/vit; (2) detyrimi për të pasur bilanc të miratuar nga 2 auditorë nga të paktën 2 shoqëri të ndryshme auditimi (jo individë). Për taksimin, do të shihni ndikimin e shpejtë pozitiv të tij.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?