Të ndjekësh ëndrrën! Është kjo këshilla e koreografit të njohur Tan Brama për të gjithë të rinjtë që kanë dëshirë të përfshihen në botën e artit, në kërcimin e zhanrit “Steet Dance”.
I ftuar në “Studio Live” me gazetarin Arbër Hitaj në Report Tv, koreografi foli rreth fillimeve në karrierën shumë vjeçare të tij, në mësimdhënien, gjithashtu dhuroi një performancë të jashtëzakonshme, së bashku me dy artiste të grupit të tij.
Koreografi tregon se si nisi rrugëtimi i tij, nga një dëshirë për të kërcyer në diskot e Tiranës, deri në shkollimin dhe arritjen e të qenurit një profesionist.
“E kam nisur thjesht me një kërcim në diskotekë, duke kërcuar në disko, flasim në vitet ’92,’ 93, në diskot e Tiranës, kërceja ‘reflection’, e merrja atë emocionin kur më thoshin të tjerët: Ua sa bukur kërcen ky, si e ke emrin! Kështu e nisa krijova një grup “The Boys of Snap”, në ‘94, ‘95. Nga 2001, 2002 ika në Gjermani dhe aty fillova të marrë, bazat, hapat e para në koreografi, që këtë gjë që bëja unë nëpër disko, thash pse jo, bëra një shkollë, një master, për të dalë sa më profesional në pjesën që unë bëja, në hip-hop, që në Shqipëri nuk njihej, si të merresha me këngëtarët, të merreshe me grupet, me një fillestar, nuk ishte koha e ‘You Tube’.”, tha Brama.
Ai tregohet dhe paska nostalgjik lidhur me periudhën e shumë viteve më parë, pasi thotë se çdo kerografi ndërtohej në mënyrë origjinale.
“Më mungon ajo koha, ka qenë çdo gjë bio, e ndërtonim një koreografi nga ne, nuk është si tani që e shkon në Instagram dhe hajt ta bëjmë si shumë grupe, çdo kohë ka atë kohën, bukurinë e vetë.”, tha Brama.
Duket se vajzat kanë një dëshirë më të madh për t’u përfshirë në këtë disiplinë kërcimi. Koreografi ka dhe një këshillë tepër të rëndësishme për të prindërit dhe të rinjtë.
“5 vitet e fundit kanë shumë dëshirë, sidomos gocat, çunat e kanë më problem, janë më të stepur, nuk e di çfarë kanë . Merren më shumë me telefonat. Doja t’i thoja prindërve ti shmangni fëmijët tuaj nga telefoni se është shumë keq, më mirë çojini dy orë në kurs, 3 herë në javë. Prurjet janë më shumë vajza.”, u shpreh ai.
Brama thotë se shumë kursantë e vazhdojnë dhe më gjatë përfshirjen e tyre në ‘Street Dance’, aq sa disa madje dhe nisin të japin vet mësime kërcimi.
“Vijnë në moshën 14 vjeç, e vazhdojnë sa e vazhdojnë, fillon jeta e tyre, shkojnë në shkollë të lartë, do fejohen, shumica dhe janë martuar tani, por të rrallë janë kursantët e mi që e vazhdojnë, ose e vazhdojnë më mirë ta dalë vetëm të konkurroj profesor Tani, eci sa ecin 2, 3 vjet. Ke dhe që të respektojnë, e mbajnë respektin ke dhe që nuk e mbajnë respektin ndaj meje profesorit, nuk ndodh vetëm me mua si Tan, por dhe me persona, koreografë të tjerë.”, tha ai.
Brama tha se ‘Steet Dance’ është mjaft i përhapur në Tiranë, ka shumë të rinjët që dëshirojnë të përshihen, por që duhet të organizohen dhe më shumë aktivitete.
“Ka treg mjaftueshëm, 3, 4 për në Tiranë, duhet të ketë në qytetet të tjera të Shqipërisë, të paktën për zhanrin tim. Nuk ka shtrirje.”
Brama thotë se për këtë disiplinë duhet shumë stërvitje dhe vetëm nëse ka dëshirën, çdo gjë mund të arrihet.
“Të njekë ëndrrën! Nëse ka ëndërr, e pëlqen diçka ,të bëjë prova, jo vetëm një orë në palestër, por dhe në shtëpi, pas mësimit, se mësimi është primare. Duhet të ketë me dëshirë, në qoftë se e shtyn prindi , dhe ai mendjen për basketbollin nuk ecën përpara. Nëse ai ka idhull një grup kërcimi, bëhet, nuk është aspak e vështirë.”, tha Brama.
I pyetur nëse do të largohej nga vendi për të jetuar diku tjetër, Brama thotë se dëshiron gjatë gjithë kohës të punoj me të rinjtë e vendit të tij.
Ai njëkohësish njoftoi dhe një kampionat që do të zhvillohet në muajin mars, në Tiranë, i cili mund t'i japë mundësinë të përzgjedhurit të jetë pjesëmarrës në kompeticion ndërkombëtar, në SHBA.
“Kam jetuar dhe jashtë, kam pasur shumë mundësi dhe tani po të iki paguhem jashtëzakonisht më shumë, por më pëlqen Tirana, Shqipëria, nuk kam pasur ëndërr të jetoj atje. Do të investojë gjatë gjithë kohës për të rinjtë, këtu në Tiranë, ka talente. Duhet të bëhen më shumë evente, kampionate kërcimi që të hapet, sa më shumë talente. Unë kam një kampionat që do bëhet në mars, quhet “Hip-hop International”, kemi marrë licencës, kush fiton këto do të shkojë në “Fenix Arizon”, që shumë të tjerë kanë kërkuar ta marrin këtë licencë, është një ëndërr që unë po e marrë.”, u shpreh ai.