Stringa: Në 2023 do ketë ngadalësim të rritjes ekonomike! Shehu: Qeveria të reduktonte TVSH për produktet e shportës dhe taksën për karburante

9 Janar 2023, 22:50| Përditesimi: 10 Janar 2023, 06:57

  • Share

TIRANË- Pedagogu Azmi Stringa sheh një vit 2023 që do të karakterizohet me një ngadalësim të rritjes ekonomike. I ftuar në emisionin ‘5 Pyetjet nga Babaramo’ në Report Tv, me gazetarin Ilir Babaramo, Stringa tha ky inflacion në rritje, ka gërryer shtresat më të varfra.

“2022 ne e mbyllëm me një inflacion 7% dhe ky inflacion është shporta mesatare, por inflacioni për pensionistët është më i lartë, që shpenzojnë një pjesë më të madhe të të ardhurave të tyre. Ka gërryer shtresat më të varfra. Pritshmëritë, janë një inflacion 3.5 deri në 4%, por pasiguritë mbeten të larta, për arsye gjeopolitike, tregjet energjetike, parashikohet të dalë një problematikë tjetër, ne morëm politika për ta mbajtur nën kontroll, për të ulur aktivitetin ekonomik. S’ka kredi dhënie, dhe s’blen dot shtëpi. Do shkojmë me një rritje ekonomike 2.5% e jo 4.5% që është parashikuar. Ka ngadalësim të rritjes ekonomike”, tha Stringa.

Ai është ndalur edhe në një analizë të premtimeve të qeverisë apo paketave të ndërmarra me qëllim mbrojtjen e qytetarëve nga kriza. Sipas tij, disa pika të paketës së ndihmës së qeverisë nuk kanë qenë reale, pasi një pjesë e tyre kanë qenë të parashikuara në buxhetin e 2022, e për këtë veçon rritjen e pagës së mësuesve apo mjekeve. Nga ana tjetër, ai sheh një hile në premtimin e qeverisë për 1 mld euro në mandatin e ardhshëm. Profesori thotë se me rritjen e çmimeve kjo gjë është lehtësisht e realizueshme, prandaj krahasimi duhet bërë me numrin e arkave apo sasisë së produktit që nxirret në tregun ndërkombëtar.

“Shumë gjëra kanë qenë që në buxhetin e 2022, rritja e pagave ka qenë në buxhet, të mjekëve apo edhe të mësuesve. (...)Qeveria duhet të thotë sa arka me domate ka çuar më shumë, sepse ka ndikuar rritja e çmimit” ”, shtoi profesori.

Ndalur te paketat, për pedagogen Elona Shahini Shehu, qeveria duhet të kishte bërë me shumë.

“Në formën e subvencionimeve, vende të rajonit janë përballur me situatën duke ndihmuar biznesin e vogël, specifika është te struktura e biznesit të vogël. Subvencionon një pjesë të kostos së prodhimit dhe të pagës të punonjësve. TVSH për produktet e shportës duhej reduktuar, taksat për karburantit duhet të ishin ulur, jo hequr, te bujqësia duhet të shkojë edhe në investime, dhe jo vetëm për agroturizëm, por t’i mëshojnë asaj, prodhimit që nuk ka punëtor, ato problematika që duhet t’i referojnë ato që i ndjejnë”, tha pedagogia.

Në fund, ajo  rendidi edhe 4 sekrorët që kanë “lulëzuar” gjatë kësaj periudhe, që janë ndërtimi, energjia, turizmi dhe bujqësia, e për këtë thotë se tani më fokus, duhet të jenë sektorët që prodhojnë alternativa të reja, si për shembull thithja e investitorëve për burime alternative të të energjisë.

B.K.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?