Ata u ngjasojnë “yjeve” dhe janë ende në fillimet e tyre, por ndriçimi që përcjellin është i padiskutueshëm. Jo më kot, ekspozita që prezanton punët e tyre më të mira është titulluar “Twinkle Twinkle”.
“Muaji shkurt është menduar të jetë muaji i studentëve dhe do të shpallim dy ekspozita njëra pas tjetrës. Ekspozita e parë është ekspozita e Departamentit të Arteve të Aplikuara, që përfshin grafikën, tekstilin, multimedian dhe fotografinë. Ekspozita e dytë që do të pasojë do të jetë ajo e departamenteve të tjera: piktura dhe skulptura.”,- thotë Ermir Hoxha, organizator i kësaj ekspozite e njëkohësisht përgjegjës i Departamentit të Arteve të Aplikuara në UA dhe përgjegjës i galerisë FAB.
Instalacione, video, fotografi, tekstil e tezgjah janë pjesë e kësaj ekspozite, që synon të promovojnë jo vetëm talentin e tyre, por edhe punën e përditshme në fakultet.
“Jemi munduar mos humbim identitetin tonë, pra pjesën tradicionale, po aq të jemi të hapur edhe drejt mediumeve të reja. Në këtë ekspozitë do të gjenden të dyja: edhe tingulli, edhe materiali, edhe pjesa konceptuale, edhe pjesa e atelierit, pjesa tradicionale, që i ka dhënë identititetin Fakultetit të Arteve të Bukura.",- vijon Hoxha.
Për Albes Fushën, përgjegjës i Programit të Fotografisë dhe zv.dekan i FAB, ky është një event i rëndësishëm për shfaqjen e punëve të studentëve dhe përballjen e tyre me njëri- tjetrin dhe shikuesit. Ai vëren se fotografia është një nga mediumet, që ndjek tendencat e kohës dhe patjetër edhe studentët apo kurrikula e këtij programi është në koherencë të plotë me zhvillimet dhe tendencat e kohës.
“Fotografia është një medium që përdoret nga shumë artistë, jo vetëm për art por edhe për të gjetur një vend në tregun e punës. Është një nga degët më pranë tregut, me interes të vazhdueshëm. Aktualisht kemi shumë kërkesa nga studentë, jo vetëm nga shkollat artistike të vendit, por edhe nga gjimnazet. Sigurisht, vihet re te studentët që nuk flasim për një imazh fotografik statik, por shkojnë deri në kufijtë e videos apo të një imazhi, duke i shtuar zë, apo të përfshirjes së Inteligjencës Artificiale.”,- thotë Fusha.
Çelja e ekspozitave me punët më të mira të studentëve synon të shndërrohet në një traditë, ndërkohë që gjatë gjithë vitit shkollor do të hapen tri ekspozita gjatë tre muajve punë, që i dedikohen vetëm studentëve: muaji shkurt, muaji qershor dhe muaji korrik.
Komente
