Qeveria reduktoi afatin e punësimit të detyruar për studentët e mjekësisë, por ata vijojnë ta kundërshtojnë projektligjin e hedhur për konsultim.
Në një deklaratë për median, studentët thanë se ndihen të injoruar që ministria nuk i ka ftuar për konsultime, ndërsa paralajmëruan protesta dhe ndjekjen e çështjes në Strasburg.
‘Protesta e studentëve të Mjekësisë nuk ishte për reduktimin e viteve të punës së detyruar ishte sepse ne ishim kundër idesë së ligjit në tërësi. Kur studentët e Mjekësisë ishin kaq të rëndësishme për Shqipërinë, pse ministritë përkatëse nuk i ftuan për diskutim studentët. Mbajtja peng e diplomës dhe puna e detyruar nuk janë mënyra ideale të mbash mjeket në Shqipëri. Ka mënyra shumë herë më natyrale që janë investimi në sektorin shëndetësore të cilat nuk lënë vend për punë të detyruar por të dëshiruar. Jemi drejt përfundimit të një drafti ligjor ta çojmë çështjen ën gjykata ndërkombëtare.’- u shpreh një nga studentët.
Disa muaj pasi Gjykata Kushtetuese shfuqizoi pjesërisht ligjin për studentët e mjekësisë, që i detyronte këta të fundit që për 5 vite pas diplomimit të mos largohen për të punuar jashtë vendit, qeveria ka reflektuar ndryshimet në ligj. Argumenti i Gjykatës Kushtetuese se afati 5 vjetor është jo-proporcional, ka bërë që qeveria të propozojë që ky afat të ulet në 3 vite. Afati është ulur edhe për studentët e vitit të dytë e deri në atë të katërt, nga 3 vite që parashikonte ligji më parë, në 2, dhe për studentët e vitit të pestë e të gjashtë, që ligji parashikonte dy vjet punësim të detyruar brenda Shqipërisë duke e ulur me një vit. Ndryshimet në ligjin e hedhur për konsultim, zgjidhin edhe boshllëkun që sipas Gjykatës Kushtetuese kishte ligji, për studentët që shteti nuk i punëson brenda vitit pas përfundimit të studimeve.