TIRANË- Në Gjykatën Kushtetuese po shqyrtohet padia e studentëve të Mjekësisë, të cilët kërkojnë pezullimin e ligjit që i detyron të punojnë 5 vite në Shqipëri pas përfundimit të studimeve. Ditën e djeshme, seanca është shtyrë, ndërsa një prej studenteve Dea Guri foli në Report Tv për kërkesat e tyre.
Në emisionin ‘Studio Live’ me gazetarin Arbër Hitaj, studentja e Mjekësisë thotë se mësimi vijon normalisht, por ata duan pezullimin e këtij ligji, që sipas saj i detyron të punojnë këtu. Studentja Guri thotë se ka shumë largime mjekësh e infermierësh drejt Gjermanisë, por ata nuk mund të detyrohen të punojnë në Shqipëri.
“Ishte seanca e parë. U bë kërkesa nga kuvendi dhe këshilli i ministrave që të bëhej pezullimit të ligjit. Gjykata kushtetuese e rrëzoi si kërkesë, nuk keni sjellë provat dhe e mbajmë të pezulluar ligjin.
Mësimi vijon normalisht, jemi futur në auditorë pas katër javësh në bojkot. Bëmë marrëveshje me rektorin dhe na tha që s’do paraqes kontratë derisa gjykata të marrë vendim dhe ne u kthyem në auditorë”, tha Guri.
Edhe në rast se Kushtetuesja rrëzon padinë e tyre, por edhe nëse fitojnë, studentja e Mjekësisë thotë se do të këmbëngulin për përmirësimin e kushteve për mjekët.
Do e njihni vendimin? Në të dyja rastet, si e refuzoi, si e pranoi kërkesën tonë, ne do kërkojmë një gjë tjetër. Kushtet, duam kushte. Në të dyja rastet. Nëse fitojmë kundër ligjit kthemi pa rroga të mira, pa kushte. Nëse ne e humbasim këtë seancë, prapë jemi në të njëjtat kushte, por tani edhe më skandaloze. Jemi në punë të detyruar.
Një koment e kishte edhe për Ministrinë e Arsimit, që sipas saj është treguar indiferente sa i takon kësaj situate, duke mos pranuar që të përballet me studentët.
“Ministria e arsimit ka qenë komplet inekzistente, neglizhim total për tu përballur. E kanë mbrojtur ligjin fort në daljet publike, kur vjen momenti për ta mbrojtur ligjin nuk dinë, prandaj i kanë shmangur përballje me studentet. Kushi nuk pranoi të përballej me ta, por as ministrja që është tani.