Në vijim të studimeve mjedisore dhe ekologjike për formulimin e rekomandimeve të duhura për mbrojtjen dhe zhvillimin e tij të qëndrueshëm, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Seksioni i Shkencave Natyrore e Teknike dhe Komisioni i Biologjisë, Veterinarisë dhe Shkencave Bujqësore, në bashkëpunim me Institutin për Ruajtjen e Natyrës në Shqipëri (INCA) zhvilloi një forum shkencor lidhur me specie invazive në ekosistemet ujore të vendit dhe efektet e ndryshimeve klimatike në ‘to. Qëllimi i forumit është paraqitja e problemeve që kanë të bëjnë me praninë e specieve aloktone shtazore apo bimore në ujërat e Shqipërisë dhe paraqitja e sugjerimeve e rekomandimeve për zbutjen e efekteve nga prania e tyre, në prani të ndryshimeve të klimës, të cilat janë duke u bërë përherë e më evidente.
Në Forum kumtuan studiuesit më në zë në vendin tonë të aspekteve të ndryshme të këtyre fushave duke paraqitur gjendjen aktuale dhe duke evidentuar masat që duhen marrë dhe ecuritë që duhet të përshkohen për një qëndrueshmëri në zhvillimin e florës dhe faunës përkatëse, në përputhje me ndryshimet e evidentuara klimatike.
Në kumtesa u paraqitën të dhënat e fundit kërkimore të proceseve invazive në ndryshimet në faunën e ujërave të brendshme të vendit dhe probleme të menaxhimit të flukseve e prurjeve të këtyre ndryshimeve. Në forum u theksua se janë fort të qarta prania e llojeve invazive të peshqve në ujërat e brendshme të vendit sikundër edhe të disa specieve të tjera karateristike (si Callinectes Sapidus në bregdet apo diversiteti gjenetik i Phragmites Australis në liqenin e Ohrit etj.) dhe u shfaqën konsiderata të sigurta lidhur me vlerësimin e rrezikut. Në këtë aspekt, u vlerësua plani kombëtar i monitorimit për specie autoktone detare në Shqipëri dhe u përvijuan e saktësuan metodologjitë e përdorimit të Local Ecological Knowledge në vlerësimin e pranisë së specieve aloktone detare të vendit. Monitorimi me metoda bashkëkohore molekulare i mikroalgave invasive që mund të shkaktojnë dukuri e shpërhapje masive të lëndëve në bregdetin shqiptar, tregoi mundësitë efektive të ndjekjes së problematikave përkatëse për evidentimin e situatës dhe dhënien e rekomandimeve të duhura me pasoja e impakt në sigurimin e zinxhirit ushqimor të faunës peshkore detare.
Rëndësi pati paraqitja dhe vlerësimi i rolit të imazherisë satelitore në detektimin e ndryshimeve mjedisore afatgjata (50-vjeçare) nga ekspertë të njohur e të përgatitur të Akademisë; u tregua ekspertiza e jonë dhe kompetenca e plotë në komunikimet satelitore dhe interpretimet e duhura të sinjaleve në lidhje të vazhdueshme e të qëndrueshme, midis të tjerash edhe si eksperiencë për fusha të tjera të vlerësimeve të dukurive natyrore në territorin e vendit. Krahas kësaj, me shumë të dhëna dhe vlerësime u kumtua lidhur me ndryshimet ciklore apo të ndikuara dhe fluktuacionet klimatike në Shqipëri. Kumtesat nga ekspertë të mirënjohur u mbështetën në të dhëna faktike për fushën e bujqësisë kryesisht, por u trajtua me saktësi dhe elementë e shfaqe themelore të impaktit të tyre në sektorë të ndryshëm.
Për vendin tonë, një rëndësi të madhe në lidhje me dukuritë klimatike merr zona bregdetare dhe ajo e deltave lumore, për vetë vendin që zënë aktivitetet ekonomike të kësaj zone, në ecurinë e zhvillimeve të përgjithshme të qëndrueshme të vendit. Një vështrim mbi disa specie bimore, drurë invazivë në ujërat dhe rajonet e brigjet detare, lumore e liqenore të vendit, mbi gjendjen, problemet dhe pasojat për të ardhmen, u bë i ditur e i njohur me argumente në forumin e zhvilluar. Lidhur me këtë zonë, në veprimtari u dëgjuan me vëmendje dhe interes komunikime të rëndësishme dhe efikase lidhur me efektet e ndryshimeve të vërejtura klimore në ihtiofaunën detare, me impakt në ihtiologji dhe akuakulturë në Shqipëri.
Diskutimi i zhvilluar në një debat rreth një tavoline të rrumbullakët nga specialistët pjesëmarrës dhe të ftuar nga njësitë kërkimore e akademike të vendit si e me pjesëmarrje të Fakultetit të Bujqësisë dhe Mjedisit të Universitetit Bujqësore të Tiranës, Institutit të Gjeoshkencave dhe Energjisë, Ujit dhe Mjedisit të Universitetit Politeknik të Tiranës; Fakultetit të Shkencave të Natyrës të Universitetit të Tiranës; Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit; Ministrisë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe shoqata të biznesit, pasuroi e thelloi konkluzionet, parashikimet dhe planifikimet e ecurive të mëtejshme të studimeve në këto fusha. Diskutimet mbështetën konkluzionet e përgjithshme të forumit që, së bashku me ndryshimet e klimës, shfaqja i llojeve aloktone dihet që është një prej kërcënimeve kryesore ndaj biodiversiteti ujor dhe ka pasoja në rritje në veprimtaritë e ndryshme ekonomike; në ngjashmëri, një sasi e konsiderueshme i llojeve aloktone ndodhet e shpërndarë në vendet e ndryshme në zonën e Detit Mesdhe. Shqipëria si një prej vendeve që lagen nga ky det, dekadat e fundit është bërë pjesë e këtyre ndryshimeve, si dhe pranisë së të tillave specie të shpërndara në gjithë ujërat e brendshëm të vendeve të Ballkanit. Korridoret kryesore të shpërndarjes së tyre janë lumenjtë dhe liqenet, si sistemi i lumenjve Ohër-Drin-Shkodër, i cili lag shumë vende në Ballkan dhe krijon konflikte interesi, meqë burimet ujore janë të shpërndarë jo në mënyrë të njëtrajtshme.
Komisioni i Biologjisë, Veterinarisë dhe shkencave Bujqësore është në përgatitje të skemës së rekomandimeve që Akademia e Shkencave përgatit për këtë vit, në interes të komunikimeve me Qeverinë dhe instancat shtetërore për impakte në përmirësimin e veprimtarive që lidhjen me këto fusha, në nivel kombëtar.