Greqi- Vezët greke kanë përmbajtje të lartë pesticidesh dhe kimikatesh toksike.
Ky është konkluzioni i studimit shkencor që regjistroi gjetje shqetësuese në lidhje me vezët greke, për të ashtuquajturat “kimikate të përjetshme” PFAS, që nuk zbërthehen kurrë dhe grumbullohen në mjedis, deri te hyrja në zinxhirin ushqimor.
Ekspertët kanë dhënë alarmin për vite me radhë:
“PFAS janë lidhur me kancerin, dëmtimin e mëlçisë dhe sistemit imunitar, si dhe problemet zhvillimore tek fëmijët”, informojnë ata.
Studimet në Francë, Gjermani dhe Danimarkë kishin treguar kontaminim të përhapur të vezëve. Pyetja ishte nëse një pamje e ngjashme ekzistonte dhe në Greqi.
Përgjigja u dha nga shkencëtarë nga Universiteti i Egjeut dhe Universiteti Kombëtar i Athinës. Studimi, i botuar në revistën Science of The Total Environment, analizoi 75 vezë nga kafazet e pulave në Serres, Magnezi, Viotia, Atikë dhe Ilia. Rezultatet ishin veçanërisht shqetësuese pasi PFAS u zbuluan në të gjitha mostrat, ndërsa më shumë se gjysma e vezëve tejkaluan kufijtë e lejuar të BE-së, informon media greke.
Në Ilia, çdo mostër tejkaloi udhëzimet e EFSA-s për të gjitha grupmoshat. Vlerat mesatare për PFOS, PFHxS dhe PFBA u regjistruan në nivele shumë të larta. Sipas studiuesve, adoleshentët dhe të moshuarit në Greqi konsumojnë sasi të lartë të vezëve.
Studimi regjistroi gjithashtu, për herë të parë në vezët greke, mbetje ilaçesh dhe gjashtë pesticide të ndryshme. Midis tyre, DEET, ilaçi kundër insekteve, si dhe acidi oksolinik.
Pavarësisht faktit se metalet e rënda u gjetën në nivele të ulëta, shkencëtarët janë të qartë: prania e PFAS në vezët greke përbën një kërcënim për shëndetin publik. Siç theksojnë ata, nevojiten kërkime të mëtejshme për të identifikuar burimet e kontaminimit dhe për të marrë masa mbrojtëse.
Komente
