Foto ilustruese

Studimi: Doza e katërt nuk shmang infeksionin nga Omicron-i

18 Janar 2022, 16:03| Përditesimi: 18 Janar 2022, 16:11

  • Share

Një grup studiuesish në një spital të Izraelit thanë se gjetjet paraprake të një studimi sugjerojnë se doza e katërt e vaksinës kundër COVID-19-s, nuk ndihmon për të shmangur infeksionin nga varianti Omicron.

Mjekët e spitalit ‘Sheba’ në Izrael thanë se u kishin dhënë një dozë të katërt të vaksinës Pfizer-BioNtech apo Moderna, 274 punonjësve të shërbimit shëndetësor dhe se kishin zbuluar se megjithëse përforcuesi rriste nivelin e antitrupave, ai nuk e parandalonte përhapjen e Omicron-it.

"Vaksina, e cila ishte shumë efektive kundër varianteve të mëparshme, është më pak efektive kundër llojit Omicron," tha Prof. Gili Regev-Yochay, një studiues kryesore në eksperiment.

"Ne shohim një rritje të antitrupave, më të lartë se pas dozës së tretë," tha Regev-Yochay. “Megjithatë, ne shohim sërish të infektuar me Omicron që morën dozën e katërt.” shtoi ajo.

"Përfundimi është se vaksina është e shkëlqyer kundër [varianteve] Alfa dhe Delta, por për Omicron nuk është mjaft e mirë," tha ajo.

Izraeli ka ofruar një dozë të katërt të vaksinës për personat mbi 60 vjeç. Ky vend ka qenë ndër të parët që ka vaksinuar popullatën dhe ka ofruar dozën përforcuese.

Autoritetet e Ministrisë së Shëndetësisë thanë se ky informacion do të merret në konsideratë për të vendosur nëse programi i imunizimit të popullatës, do të zgjerohet duke shtuar një tjetër dozë.

M.Q./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?